Lutfi Haziri:Më 22 tetor, Gjilani do ta dëshmojë besëlidhjen e re

28.09.2017 10:33:26

Kandidati i LDK-së për komunën e Gjilanit, Lutfi Haziri ka marrë sot mbështetjen e qindra grave të Gjilanit, në tubimin e organizuar nga Forumi i Gruas i kësaj partie në Gjilan.

Ai me këtë rast tha se Gjilani, më 22 tetor, do ta dëshmojë besëlidhjen e re dhe fitoren plebishitare të LDK-së.

“Më 22 tetor, Gjilani do ta dëshmojë besëlidhjen e re. Unë këtë e shoh dhe po dëshmohet çdo ditë, në çdo shtrëngim duarsh me qytetarët. Në mandatin e ri, Gjilani i betonon vetës projektet e mëdha, të cilat të tjerët as nuk mundën, as nuk ditën e as nuk guxuan”, tha ai.

Kryetarja e FG të LDK-së në Gjilan, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e falënderoi kryetarin Haziri, për hapësirën e madhe që u ka dhënë gruas në vendimmarrje, derisa Lirije Kajtazi, kryetare e FG në nivel qendror të partisë, tha se kandidatet për këshilltare të LDK-së janë më të mirat dhe janë identiteti i Kosovës.

Në këtë tubim janë prezantuar edhe 13 kandidatet femra nga radhët e LDK-së për asamble komunale.