Madhështia e izoluar e Alpeve Shqiptare

21.08.2016 15:58:48

Fshatrat e izoluara në malet e veriut të Shqipërisë po tërheqin turistë me peizazhin e jashtëzakonshëm malor, por ndërsa vendasit dëshirojnë të zgjerojnë bizneset, modernizimi mund të sjellë ndryshim.

Më tepër se një shekull më parë, udhëtarja, shkrimtarja dhe antropologia britanike Edith Durham shkroi se fshatrat e vegjël në Alpet Shqiptare ekzistonin në “izolim magjepsës nga bota”.

Sot, izolimi është avantazhi më i madh i këtyre fshatrave. Gjatë viteve të fundit, vendasit kanë filluar të krijojnë një model unik turizmi larg nga rregullat e ashpra të shtetit, të ndihmuar nga vendndodhja gjeografike dhe historia e pasur.

Në Shqipërinë moderne, këto fshatra të vogla në Alpe janë ende të vështira për t’u arritur. Për të shkuar në fshatin Theth, që konsiderohet si perla e Alpeve, ju duhet të udhëtoni me makinë drejt qyteti verior të Shkodrës për 50 kilometra deri në fshatin Bogë dhe pastaj do të merrni 20 kilometra të tjera rrugë të pashtruar dhe me raste të rrezikshme.

Kjo e bëri turizmin në zonë të mundshëm vetëm gjatë muajve të verës, duke e lënë Thethin dhe panoramat e tij të mrekullueshme me një petk misteri.