Majlinda Bregu viziton familjen e Liljana Rukajt: Fëmijëve tu lidhet pension

07.12.2016 15:29:10

Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu vizitoi familjen e Liljana (Zhezha) Rukajt, gruas që mbeti viktimë e burrit të saj. Pasi i shprehu ngushëllimet familjarëve, zonja Bregu tha se vendimi ende nuk është zbardhur dhe kjo është e papranueshme.

“Daja i fëmijëve po më thoshte tani se pas momentit se kur është lëshuar urdhri i dytë i mbrojtjes i datës 25 nëntor 2016, dhe kur burri e ka apeluar në Gjykatën e Apelit në Vlorë, ata ende nuk kanë në dorë, nuk e kanë marrë në dorë urdhrin e Mbrojtjes së datës 25 nëntor. Sot ka një viktimë, ndërkohë që urdhri nuk është zbardhur akoma. Ndërkohë, ai urdhër nuk kryen punë për njerëz që janë më probleme.

Burri dhunues nuk paska enë as pijanec dhe tjetra që është më e rëndësishmja sot , ai nuk mund ta kaloj këtë gjë me tezën e të sëmurit mendor.  Do të jetë një varrosje e dytë për viktimën nëse burri vrasës do të merret si i sëmurë mendor”, deklaroi deputetja demokrate.

Bregu gjithashtu ka thënë se menjëherë duhet të nisin procedurat për të krijuar kushtet e rritjes së dy fëmijëve të mbetur jetimë nga tragjedia. “Vajza e viktimës sot kishte 3 vjetorin e ditëlindjes dhe ndërkohë që djali është në shkollë  dhe ata të dy sot kanë nevojë për ndihmë. Kanë nevojë për psikologun, sepse djali ka ndjekur të gjithë skenën dhe për mbështetje financiare. Të lidhet një pension për fëmijët dhe të kryhen procedurat për shitjen e apartamentit ku jetonte më parë viktima dhe fëmijët dhe të bëhet kalimi i pasurisë për të ardhmen e tyre”, tha Bregu.