Mandatet dhe protestat/ Rama “shtrëngoi” dhëmbët, Basha takon aleatët e PD

25.02.2019 15:03:21

Një ditë pasi njoftoi zhvillimin e protestave në mënyrë të vazhdueshme, çdo të enjte deri në rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, kryedemokrati lulzim Basha ka mbledhur në një takim aleatët e tij opozitarë.

Në mbledhjen që ka nisur në mesditë në Selinë Blu ndodhen kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili, kreu i PAA Agron Duka, kreu i PR Fatmir Mediu dhe kreu i LZHK Dashamir Shehi.

Sipas burimeve, në mbledhjen e opozitës së bashkuar po diskutohen hapat që do të pasojnë djegien e mandateve të deputetëve.

Opozita duket se do ta zhvendosë fokusin e saj në sheshe, aty ku Basha synon të bëhet një me qytetarët dhe njëzëri të kërkojnë qeveri tranzitore e zgjedhje të parakohshme.

Aktualisht janë vendosur tre data për protestat e ardhshme, që do të zhvillohen më 28 shkurt, 7 dhe 16 mars.

Ndërkohë, po në selinë e Partisë Demokratike është planifikuar një mbledhje e Kolegjit të Kryetarëve të degëve nëpër rrethe, që nën drejtimin e Lulzim Bashës do të mbahet pasditen e kësaj të hëne në orën 17:00, sipas burimeve nga selia blu.

Mbledhja do të zhvillohet për të diskutuar për sezonin e protestave dhe përgatitjet për atë të radhës, këtë të enjte përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas asaj që bëhet e ditur, Tirana do të mbajë peshën kryesore të protestave të përjavshme të paralajmëruara nga kryetari i PD-së, pas dorëzimit të mandateve të disa prej deputetëve të opozitës, pikërisht përpara Parlamentit që akuzojnë se ka dalë nga votat e blera.

Basha pritet të nisë gjithashtu një tur tjetër takimesh, që do të jetë i përqendruar këtë herë në Tiranë.