Manjani: Qeveri koncesionesh. Rama-Meta pikëpamje të ndryshme për drejtimin e shtetit

07.02.2017 13:15:08

Ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë që drejton Edi Rama, Yllli Manjani ka zgjedhur të qëndrojë aktiv në jetën publike përmes postimeve të herëpashershme në rrjetet sociale. Në një postim të sotëm në faqen e vet në Facebook, Manjani sqaron se nuk është ai problemi që ndan sot koalicionin e majtë, por fakti se dy liderët kryesorë, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë pikëpamje të ndryshme për drejtimin e shtetit.

Postimi i plotë i Manjanit në FB:

Cilido që tek qëndrimet e mia të drejtpërdrejta sheh arësyen, shkakun apo alibinë e ndarjes së koalicionit të majtë, e ka GABIM!

Kam qenë, jam e do të jem mbështetës i të majtës së bashkuar. Nuk është faji i të majtëve që drejtohen keq!

Nuk mund të ndëshkohet e majta pse qeveria e tyre qeveris me koncension (teori e praktikë e djathtë kjo).

Nuk është faji i të majtëve pse qeveria varfërinë e lufton me burgosjen e të varfërve!

Nuk është fare faji i të majtëve që qeveria nuk i hap telefonin hallexhiut!

Nuk kanë asnjë kusur të majtët, kur qeveria shkel ligjet dhe dhunon Kushtetutën! Nuk e ka në edukatën e tij i majti antiligjin!

Nuk kanë faj të majtët që qeverisen me të njëjtat metoda si të djathtët! Dallojnë vetëm emrat.

Nuk është faji i të majtëve pse vendi kanabizohet. Nuk e bëjnë të majtët vendin Hashash! E bën thjesht qeveria e keqe që i shërben trafikut të paligjshëm.

Nuk është faji i të majtës pse demokracia po rrudhet, liria e shprehjes apo edhe e drejta e pronës shkelet! E majta shqiptare është zemra e demokracisë!

Më në fund, por jo për nga rëndësia, nuk kanë faj të majtët pse Edi Rama (themelues i Partisë Demokratike, në krye të PS) dhe Ilir Meta (themelues i Partisë Socialiste, por jo më ne PS) kanë pikpamje të ndryshme për drejtimin e shtetit! Të majtët gjithnjë kanë konkuruar dhe debatuar me njëri-tjetrin!

Jam që e majta të bashkohet edhe më shumë, sepse vetëm kështu do largohet e keqja prej nesh, prej qeverisë dhe prej shtetit tonë të përbashkët.

Vazhdoj ti uroj Koalicionit “shërim të shpejtë”!