MAP fillon procesin e vlerësimit të gatishmërisë për hapjen e të dhënave

22.11.2017 19:18:03

Qytetarët e Kosovës tashmë do të kenë mundësi të kenë qasje në të dhënat e punëve që kryhen nga Institucionet e vendit.

Hapja e të dhënave do të ndikojë në qeverisjen e mirë, rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të administratës publike.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, njoftoi se ka filluar Vlerësimi i Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave në Kosovë – ODRA.

I gjithë ky proces do të realizohet nga ekspertë vendorë dhe të huaj.

Yagcilar më pas tha se, institucionet e Qeverisë prodhojnë një game të gjerë të dhënash, andaj këto të dhëna duhet të vihen në dispozicion për qytetarët, që gjithëcka të jetë sa më transparente.

Më pas u sqarua qëllimi i ODRA-s, i cili është realizimi i një skenimi të hollësishëm të kapaciteteve, mundësive dhe të sfidave në fushën e hapjes së të dhënave.

Në këtë konferencë foli edhe drejtoresha e Departamentit të Menaxhimit të Reformës së Administratës Publike Erna Hasangjekaj, ku përmendi rëndësinë e gjithë këtij procesi.

Ekspertja e hapjes së të dhënave Elizabeth Carolan, e cila do të marrë pjesë në procesin e Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave në Kosovë sqaroi se kjo metodologji përbëhet nga 8 komponente kryesore dhe është e hartuar për të shqyrtuar si anën e “furnizimit” me të dhëna, që ka të bëjë me kuadrin ligjor dhe infrastrukturën brenda qeverisë, por po ashtu edhe me anën e “kërkesës për të dhëna të hapura”, që ka të bëjë me mekanizmat e angazhimit të qytetarëve dhe gjendjen e kërkesave ekzistuese për të dhëna ndaj qeverisë.

Ndërsa Drejtori i ASHI-së, Kujtim Gashi, foli për përkrahjen teknike dhe infrastrukturore për hapjen e të dhënave gjegjësisht për Portalin Shtetëror për Hapjen e të Dhënave.

MAP Raportin gjithëpërfshirës do të publikon në muajin mars të vitit 2018.