Marrëveshja BE-Kanada, Belgjika zhbllokon “bllokimin”

27.10.2016 22:25:37

Qeveria belge gjeti akordin me parlamentet rajonale për aprovimin e marrëveshjes për tregtinë e lirë mes Kanadasë dhe BE-së, duke i dhënë fund ngërçit që zgjat prej javësh. Kryeministri Charles Michel bëri të ditur se, pas negociatave të fundit me autoritetet rajonale, kishin gjetur një kompromis.

“Komisioni i konsultimeve sapo arriti një marrëveshje lidhur me tekstet që reflektojnë qëndrimin e Belgjikës, e që i adresohet menjëherë Komisionit e Këshillit Europian”, tha Michel.

Komunitetet frankofone të Belgjikës, me në krye rajonin e Wallonias, e kundërshtonin ujdinë me Kanadanë dhe ceremonia e nënshkrimit, e parashikuar për të enjten, u anulua.

Sipas sistemit federal të Belgjikës, qeveria nuk mund të nënshkruajë marrëveshje, nëse të 6 parlamentet rajonale nuk e aprovojnë atë.

Gjithsesi, 27 vendet e tjera anëtare të BE-së duhet ta miratojnë tekstin e marrëveshjes së propozuar nga Belgjika. Edhe Kanadaja foli për një zhvillim pozitiv lidhur me çështjen, ashtu si dhe presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Por asnjë prej tyre nuk e deklaroi të mbyllur marrëveshjen për tregtinë e lirë, e njohur si “Ceta”. Të gjitha qeveritë e unionit janë në favor të ujdisë, që sipas mbështetësve mund të rrisë me 20 për qind shkëmbimet tregtare. Ndërkohë, sipas kritikëve, ajo penalizon bujqit europianë dhe favorizon interesat e koorporatave globale.