Marrëzia e veshjes

10.03.2018 17:55:52

Vetëm njerëz të cekët nuk gjykojnë nga Aparenca. Misteri i vërtetë i botës është e dukshmja, jo e padukshmja”, kështu shprehet Lord Henry Wotton te” Portreti i Dorian Grejit” të Oscar Wilde, 1891. Ashtu si Wotton, në fakt, të gjithë jemi ekspertë në gjykimin e njëri- tjetrit për nga pamja, edhe pse vlerësojmë cilësitë e brendshme dhe komplekset e kolegëve dhe miqve tanë. Qartësia me të cilën komunikojnë rrobat tona mund të ngjallë debate. Në një studim të vitit 2012, botuar në Gazetën e Psikologjisë Sociale thuhet se veshja jonë është po aq ekspresive sa çdo gjuhë e shkruar ose e folur. Ne mendojmë dhe veprojmë me trupin tonë po aq sa me mendjen tonë dhe mënyra e veshjes ka të bëjë më këtë proces. Por sa ndikon veshja në mendjet tona dhe në bashkëveprimin tonë me botën? Studiuesit në një eksperiment me një grup studentësh iu dhanë atyre një pardesy të bardhë. Ata i kushtuan shumë vëmendje kur menduan se ajo i përkiste mjekëve, por ndodhi krejt e kundërta kur u thanë se kjo veshje i përkiste piktorëve.

Një uniformë e një punëtori nuk tërheq vëmendje mjaftueshëm, ndërsa e një bankieri shfaq tjetër interes. Një veshje e hijshme në krahasim me një veshje të cilës i ke kushtuar pak ose aspak kujdes ngacmon dukshëm vëmendjen e të tjerëve, duke treguar se veshja mund të ndikojë në proceset psikologjike të njeriut, e për rrjedhojë ajo komunikon nëpërmjet gjuhës, kodeve apo simboleve të veta. Natyrshëm lind pyetja : A duhet të përfshihet edukimi i veshjes në kurrikulat mësimore? Sa rol do të kishte studimi i saj në emancipimin e individidit, veçanërisht në një shoqëri si e jona me të shkuar delikate?

A do të tregonte studimi i veshjes faktin se varfëria nuk është vetëm materiale? Pasuria kulturale është domosdoshmëri dhe nuk është kaq e vështirë. Studentët mund të shqyrtojnë dhe njihen me stilin dhe modën e veshjeve përmes veprave të Shekspirit në lëndën e anglishtes , të zbulojnë shembuj të panumërt të veshjeve tradicionale në Botë, të mësojnë se si kanë ndryshuar ndër shekuj dhe impaktin që ato kanë pasur në zhvillimin kulturor dhe jo vetëm. Nëse do t’i tregonit një klase studentësh me meshkuj se jaka me dantella dhe me shumë pala e Mbretit Çarls I në vitet 1600-1649 në portretet e Van Dyck do të kushtonte me çmimet e sotme 200.000 £, aq sa një Aston Martin, me siguri do të shkaktonte një interes të konsiderueshëm. Natyrisht që studentët do të përforconin nocione të socializuara rreth gjinisë dhe veshjes, ndërsa u ofrohen shembuj konkret me figura të cilat kanë një

histori të njohur, domethënëse dhe me ndikim të gjerë në shoqëri në periudha të ndryshme. Këtu qëndron edhe sfida jonë sot ,për të ndihmuar veten, por më shumë brezin e ri të dallojë idealin estetik, i cili po bëhet edhe më i vështirë me përhapjen e mjeteve të informacionit masiv. Ne duhet të konfrontojmë qëndrimet tona rreth veshjes dhe të mendojmë për mesazhet që mbajnë ato në përditshmërinë tonë. Për shembull, veshja e mësueses në klasë ka një ndikim interesant mbi nxënësit. Për grupmoshat e vogla ajo është pjese integrale e edukimit të tyre po aq sa sjellja e të rriturve, media apo shoqëria. Lord Chesterfield në 1784, këshillon djalin e tij: “Veshja është një marrëzi; por është akoma më shumë marrëzi për një njeri të mos jetë i veshur mirë. Ai s’duhet të vlerësojë veten në bazë te asaj çfarë ka veshur, por në të njejtën kohë as nuk duhet ta neglizhojë atë, një dëshirë e flaktë për të qënë origjinal, një dëshirë e përmbajtur brënda caqeve të jashtme të etikës ”.