“Mashtrimet e krahut të luftës me listat e veteranëve”

20.12.2017 12:43:59

Rritja e numrit të veteranëve të luftës së UÇK-së, mund të varfërojë buxhetin e shtetit të Kosovës.

Kështu janë shprehur analistët e çështjeve politike, pas paralajmërimit të kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka thënë se numri i veteranëve, mund të rritet edhe më shumë.

Ai ka thënë se OVL e UÇK-së nuk do të merr përgjegjësi për këtë çështje.

“Ne kemi frikë. Mund të rritet. Po nëse rritet, e bajshin me shëndet ata zotrinjtë të cilët janë brenda. Ne nuk marrim përgjegjsi për atë punë”, ka thënë Gucati.

E duke komentuar këtë paralajmërim të Gucatit, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se përgjegjësinë për këtë, e kanë komandantët e zonave dhe vartësit e tyre.

Jashari në një prononcim ka thënë se komandantët e zonave, e dinë më së miri se a kanë qenë të gjithë veteranët ushtarë apo jo.

“Ka qenë kompetencë në plotëni e komandantëve dhe vartësve të tyre që të bëjnë verifikimin e veteranëve dhe secili komandant i zonës mund të tregojë se a është numri real apo është rritur. Por, konsideroj se përderisa ka kaluar në fazë verifikuese, të gjithë ata veteranë që janë verifikuar nga komandantët e zonave dhe vartësit e tyre, mendoj se ata e dinë më mirë se a kanë qenë ata të gjithë ushtarë apo jo”, është shprehur Jashari.