‘Mati 1’ ende pa rrymë, KEDS-i hapë gropën, por s’e rregullon defektin

29.10.2016 18:53:18

As për 24 orë, KEDS-i nuk ka arritur të rregullojë prishjen e një kablloje e cila ka lënë pa rrymë, të gjithë banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në lagjen ‘Mati1’ në Prishtinë, raporton lajmi.net.

Për më keq, punëtorët kanë gërmuar sot, por nuk kanë arritur ta rregullojnë, duke e lënë të hapur edhe gropën.
Banorët e kësaj lagje janë ankuar se energjia është ndalur në orën 22:00 të natës së kaluar dhe pavarësisht kësaj, askush nuk ka shkuar për të intervenuar deri në mëngjesin e sotëm, raporton lajmi.net.

Madje në errësirë ka mbetur edhe i gjithë objekti i EULEX-it që gjendet në këtë lagje, ndonëse ata kanë edhe gjeneratorë.

Viktor Buzhala nga KEDS-it,  ka deklaruar sot gjatë ditës se  bëhet fjalë për një prishje, por që sipas tij,  do riparohet gjatë ditës.

Ai ka konfirmuar më herët se ekipet janë në terren dhe po mundohen të rikthejnë punë linjat energjike.

Por defekt nuk është rregulluar, së paku jo deri në orum 19:00.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë më z. Buzhala, për të kuptuar se përse defekti nuk është rregulluar deh punëtorët e KEDS-it janë larguar.

Megjithëkëtë, kjo ishte e pamundur.

Në anën tjetër, kablloja ka mbetur e zbuluar , ndërsa ekipet e KEDS-it nuk janë askund. Banorët deklaruan për lajmi.net se janë shumë të revoltuar për këtë neglizhencë të KEDS-it, pasi në ndërtesa ka shumë fëmijë dhe të moshuar.

Me rënien e temperaturave gjatë natës, situata bëhet edhe më e vështirë.