Matoshi: Nuk ka presion nga ndërkombëtarët për heqjen e taksës

21.01.2019 19:27:37

Halil Matoshi, këshilltar politik dhe për media i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka presion ndërkombëtar për heqjen e taksës ndaj Serbisë, por ka sugjerime që të hiqet e t’i krijohet hapësirë dialogut.

Ndërsa, Nexhmedin Spahiu, analist politik, ka thënë se taksa është mjeti i vetëm I Kosovës për ta luftuar Serbinë.

“Nuk kemi presion prandaj nuk e di pse ky debat pa objekt. Kemi sugjerime të miqve, që të hiqet taksa e të krijohet hapësirë për dialog. Ne i kemi lënë Serbisë hapësirë për 20 vjet për dialog, por pa efekt. Taksa është vendim sovran i Kosovës”, ka thënë Matoshi, për RTK.

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë  se ky është vendim sovran, por çdo mik e çdo alet ka të drejtë të reagojë në veprimet e tjetrit.

{Qeveria duhet të masë kaçikun e vet, se deri ku mund ta shtyjë. Taksa është mjeti i vetëm me të cilin Kosova mund ta luftojë Serbinë”, ka theksuar Spahiu.