Maturantët kosovarë, peticion kundër testit të maturës, prindërit propozojnë modelin e Shqipërisë

Maturantët kosovarë, peticion kundër testit të maturës, prindërit propozojnë modelin e Shqipërisë

09.05.2020 11:57:34

Një peticion online për çështjen e testit të maturës është shpërndarë ditëve të fundit nga një grup maturantësh, të cilët në këtë formë synojnë të tregojnë se cili është vullneti i maturantëve për mbajtjen, apo jo të testit të maturës për këtë vit shkollor.

Vendimin për mbajtjen ose jo të testit të maturës ende nuk është marrë definitivisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por ministrja, Hykmete Bajrami ka thënë se derisa nuk ka një vendim për anulimin e testit, nxënësit duhet ta marrin që testi mbahet, por që po përgatitin një skenar tjetër nëse situata me pandeminë përkeqësohet.

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për Telegrafin, kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti ka theksuar se KPK punon gjithmonë vetëm në interes të nxënësve, ndërsa tha se nuk janë në dijeni për peticionit e nisur nga nxënësit.

“Ne si Këshill i Prindërve nuk jemi në dijeni për këtë peticion e as çfarë kërkohet përmes tij, por, meqë po jetojmë në demokraci, ata mund ta shfrytëzojnë të drejtën. Këshilli i Prindërve nuk është kundër asaj. Ne i përfaqësojmë interesat e maturantëve. Por, përveç dëshirave është edhe ligji që duhet të respektohet. Nuk jemi asgjë kundër, por nuk kemi dëshirë që prapa atyre iniciativave të ketë njerëz që e bëjnë për promovime personale. Nëse është vetëm iniciative e tillë, le ta provojnë, në fund ministria është ajo që vendos për mbajtjen ose jo të testit”, tha Reshiti.

Kryetari i Këshillit të Prindërve tha se në terren tashmë kanë nisur përgatitjen për mbajtjen e testit, e në anën tjetër bëri të ditur po ashtu se ka propozuar që për këtë vit shkollor të ndiqet shembulli i Shqipërisë, ku Qeveria u ka dhënë mundësinë nxënësve e prindërve të deklarohen në lidhje me atë se si duhet të vazhdohet viti shkollor.

“Sipas informacioneve që kam, kanë dal edhe disa dokumente. Me sa di çështja e testit të maturës është e kryer. Edhe pse unë kam kërku që ta ndjekim shembullin e Shqipërisë, ku Qeveria u ka dhënë mundësi vetë prindërve dhe nxënësve të deklarohen nëse ata mendojnë që ky vit do të thotë për vitin shkollor është i mjaftueshëm për t’u konsideruar i kryer. Edhe për testin e maturës do të duhej të merrej mendim edhe i nxënësve edhe i prindërve. Në realitet cila është zgjidhja më e mirë. Por e kam vërejtë që janë disa informata pothuajse zyrtare, që testi do të mbahet”, tha Rashiti.

Ndërsa, nëse ende ka dyshime për mbajtjen ose jo të testit, Rashiti tha se kjo do të duhej të diskutohej me të gjithë personat e përfshirë në këtë proces, të merret mendimi i ekspertëve.

“Nuk e di për ministren nëse ka një dyshim ose ide të tillë që do të mbahet ose do të shtyhet. Edhe pse ministrja është dasht që edhe në takim me Komisionin e Maturës Shtetërore ta diskutoj këtë ide, sepse ne si Këshill i Prindërve përmes medieve kemi folur për testin e maturës. Çdo send që është e mirë do ta vlerësoj, Këshilli i Prindërve në pajtim me interesat e nxënësve do ta ngrisë këtë kërkesë te Ministria e Arsimit, do ta arsyetoj dhe avokoj për këtë. Mirëpo ne duhet që të gjitha palët e interesit në këtë rast të ulemi e të kërkohet edhe mendimi i ekspertëve, edhe ana ligjore dhe pse jo, diçka që është e mirë duhet të bëhet edhe duhet të arrihet një lloj konsensusi që të mos ketë probleme të mëvonshme. Janë edhe mendimet ekspertëve, vlerësohen edhe kushtet nëse janë kushtet për me u mbajtë apo jo”.