Maurizio Salustro akuzohet se po përzihet në punët e brendshme të Serbisë

28.09.2016 15:51:06

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar se do të kërkojë sqarim nga OSBE-ja rreth deklaratës së këshilltarit të lartë të kësaj organizate lidhur me zhvillet në Savamali (Beograd), të cilën ai e ka cilësuar si përzierje brutale në punët e brendshme të Serbisë.

“Të akuzosh, të merresh me insinuata dhe në çfarëdo mënyre t’i sjellësh organet e Serbisë në çfarëdo lidhje me vepër penale, dhe për këtë të mos ekzistojë asnjë fakt, e vlerësojmë si akt shumë jokorrekt”, ka thënë Stefanoviq dhe ka shtuar se ka qenë i befasuar për të keq me këtë deklaratë, transmeton lajmi.net.

Bëhet fjalë për deklaratën e këshilltarit të OSBE-së, Maurizio Salustro, i cili për opinion kosovar është i njohur si ish prokuror kontrovers i EULEX-it.

Stefanoviq tutje ka thënë se pret qëndrim zyrtar nga OSBE-ja ose personalisht Salustro lidhur me deklaratën në fjalë, duke shtuar se në këtë rast Serbia pret kërkim-falje ose demant.

Kush është Maurizio Salustro?

Të gjitha proceset gjyqësore ku ishin përfshirë ish- ushtarët e UÇK-së, deri para shkuarje në Beograd, i ka trajtuar prokurori italian Maurizio Salustro. Në EULEX thonë se ai është shef i departamentit për krimet e luftës, prandaj edhe merret me to. Në Kosovë ekziston paragjykimi se shumica e ndërkombëtarëve janë të dështuar profesionalisht në vendet e tyre, por duket se këtu bën përjashtim Salustro, i cili në vendin e tij ka qenë prokuror i suksesshëm

Sa herë lindnin dyshime se ndonjë ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë, aty ishte edhe prokurori Maurizio Salustro.

Ai ishte zyrtari i vetëm i misionit të EULEX-it nëpër duart e të cilit kalonin të gjitha këto raste. Duke u nisur nga viti 2003 e deri në fund të mandatit, ishin plot tetë raste të tilla me të cilat ishte marrë dhe po merrej prokurori Salustro.

Rasti i parë ishte ai i grupit të Llapit. Hetimet e para për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit kanë filluar në vitin 2001. Gjykimi pati filluar në vitin 2002, derisa aktgjykimi qe shpallur nga drejtësia e UNMIK-ut në korrik të vitit 2003. Asokohe, Latif Gashi, Rrustem Mustafa, Nazif Mehmeti si dhe tashmë i ndjeri Naim Kadriu qenë dënuar me gjithsej 45 vjet heqje lirie. Ky i fundit ka vdekur në një aksident komunikacioni.

Rasti i njëjtë u kthye në rigjykim për tri herë me radhë. Dy herët e para prokuror ishte Maurizio Salustro, derisa në rastin e tretë dhe të fundit prokuror ishte Charles Hardëay i cili i dënoi ata me 13 vjet burg.

Salustros iu besua edhe rasti i “Kleçkës”. Në mesin e 10 ish-ushtarëve të UÇK-së për të cilët është ngritur aktakuzë në vitin 2011 është edhe deputeti Fatmir Limaj, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.