Mbahet konferencë me studentët për fazën e fundit të dialogut

22.12.2018 14:53:21

Në Fakultetin Filozofik të UP-së është mbajtur konferenca “Perspektiva e partive politike për fazën e fundit të dialogut” e organizuar nga Paqja Studentore.

Të pranishëm në këtë konferencë kanë qenë Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës si dhe Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate.

Arban Abrashi nga LDK-ja ka thënë se dialogut nuk i kanë dhënë rëndësi të mjaftueshme grupet e interesit pasi që sipas tij, shumë herë është personalizuar dialogu.

“Në Qeverinë Haradinaj, dialogu ka pësuar krizë sepse vetë Kryeministri është tërhequr nga negociatat dhe tani kemi ardhur në këtë gjendje. LDK beson se dialogu duhet të funksionojë përmes Brukselit dhe jo nga konferencat ndërkombëtare si pretendon Rusia”.

Kjo parti e përkrahë arritjen e një marrëveshje finale në mënyrë që Serbia ta njohë Pavarësinë e Kosovës dhe mos ta pengojë atë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Në platformën tonë kemi kërkuar që dialogu mos të quhet ‘Prishtinë-Beograd’ por dialog midis Kosovës dhe Serbisë”.

Uran Ismajli nga PDK-ja ka thënë se Kosova e ka shfrytëzuar pozicionin e saj në mënyrë që Serbia të mos mund të hyjë në BE pa arritur një marrëveshje me Kosovën.

Sipas tij, dialogu nuk i takon vetëm një partie politike por është interes i përbashkët i të gjitha partive në vend.

“PDK e sheh dialogun si mundësi për zhvillim, për marrje të njohjeve dhe për anëtarësim në OKB. SHBA-ja e ka afirmuar angazhimin në dialog dhe ne jemi shumë falënderues ndaj tyre. Ne konsiderojmë se kjo fazë e dialogut do të mbështetet nga të gjitha partitë politike në vend”.

“Deputetët e opozitës nuk është dashur ta lëshojnë sallën e Kuvendit, por është dashur që të gjithë t’i bashkohen platformës së dialogut. Iniciativa e kryeparlamentarit Veseli për dialogun do të jetë gjithëpërfshirëse për të gjitha partitë”.

Ndërsa Frashër Krasniqi nga PSD-ja, ka bërë thirrje që në lidhje me dialogun me Serbinë, të gjitha partitë të jenë të bashkuara, sepse sipas tij, Kosova gjendet përballë një shteti i cili është i unifikuar kundër Kosovës.

“Pasi ta përfundojmë dialogun me Serbinë atëherë merremi me temat e tjera. Ju ftoj të bëhemi bashkë sikur për ushtrinë, në mënyrë që shtetet e botës të na marrin më seriozisht”.

“Për këtë arsye ne e kemi votuar rezolutën në mënyrë që të bëhemi bashkë kundër Serbisë. Kompetenca për dialog do t’i kthehet sërish Kuvendit”.