Mbahet ligjëratë me studentë të kolegjit UBT për parandalimin e migrimit të parregullt

03.05.2017 08:46:10

 

Ministria e Punëve të Brendshme, me mbështetjen e projektit të binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian: “Fuqizimi i institucioneve të Kosovës, në menaxhimin efektiv të migrimit”, ka mbajtur takim me studentët kolegjit UBT.

Ky takim është bërë në kuadër të fushatës të vetëdijesimit për parandalimin e migrimit të parregullt.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Valdet Hoxha, i cili njëherësh është edhe Koordinator Nacional për Migrim, tha se ky projekt ka të bëjë me fuqizimin e institucioneve në menaxhimin e migrimit të parregullt.
“Migrimi i parregullt nuk është zgjidhje e duhur. Ky lloj migrimi ka një kosto të lartë financiare dhe morale. Prandaj, të gjithë duhet ta bartim mesazhin te qytetarët për pasojat e migrimit të parregullt dhe të mos bien pre e grupeve të ndryshme kriminale të cilët per interesa të tyre të ngushta i inkurajojnë për një lëvizje të tillë”, tha zëvendësministri Hoxha.

Ndërsa ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, z. Robert Bosch, tha se shtetet evropiane janë mbingarkuar nga refugjatët e vendeve të shumta që gjenden në konflikt, prandaj, migrantët kosovarë nuk janë prioritet pasi që Kosova konsiderohet si vend i sigurt.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa implementohet nga Holanda si partner kryesor dhe Austria e Suedia si partner mbështetës në partneritet me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, respektivisht me Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migrim.
Përmes kësaj fushate të vetëdijesimit, qytetarëve të Kosovës do të vazhdohet tu shpjegohet rëndësia e respektimit të ligjit në fushën e migrimit.
Në kuadër të komponetës së katërt të këtij projekti, do të mbahen aktivitete të ngjashme edhe në ditët në vijim.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës