Mbi 40 studentë diplomuan në Depertamentin e Gazetarisë

04.07.2018 17:15:45

Mbi 40 studentë kanë diplomuar sot në Depertamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Filologjisë në Univeristetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”, raporton Gazeta NewBorn.
Shumica dërmuese e këtyre të sapodiplomuarve kishin për tri vite sukses të shkëlqyeshëm.

Një numër i konsiderushëm i tyre tani më kan gjetur edhe vendin e punës në media të ndryshme të vendit dhe në pozita të cilat lidhen me media.

Depertamenti i Gazetarisë në UP, është prej depertamenteve e cila prodhon me së shumti të diplomuar në këtë universitet, e ku shumica dërmuese e tyre menjeherë startojnë me punë me të mbaruar fakutetin, gjë që shumë vështirë ndodh në depertamente dhe fakultete tjera.

Me rastin e diplomimit të këtyre studentëve, para të pranishmëve dhe para të sapodiplomuarve mbajti një fjalë rasti edhe shefi i këtij depertamenti dhe profesori universitar Milazim Krasniqi.

Më poshtë ua sjellim fjalimin e tij të plotë dhe disa fotografi nga ceremonia e diplomimit:

Të dashur studentë!

Të respektuar familjarë të studentëve tanë! Mirëdita!

Kjo vërtet është ditë e mirë për të gjithë ne, pasi po e kurorëzojmë me sukses të plotë një punë trevjeçare të përbashkët, e cila na ka fisnikëruar dhe na ka plotësuar me dije e vlera të gjithëve. Për këto tre vite ne kemi bashkëvepruar, në një përpjekje jo të lehtë, për t’i bërë sa më reale ëndrrat tuaja, pra, që të bëheni gazetarë profesionistë dhe qytetarë të ndershëm e të dobishëm të këtij vendi.

Edhe pse kemi punuar në kushte jo të mira, në salla pa ngrohje dimrit e me vapë verës, pa pastërtinë elementare në salla, në korridore e në VC, pa libra në gjuhën e studimit në disa lëndë, pa zërim në salla e pa mjete konkretizimi, pa mundësi mobiliteti, për shkak të izolimit të vendit tonë, prapa ia kemi dalë me sukses.

Si ia dalim ne kështu?

Ia kemi dalë me padurimin tuaj për të arritur sukses dhe me durimin tonë, për t’u sjellë në cak, ku suksesi konfirmohet praktikisht dhe legalisht. Në këtë konkekst, më duhet të them se departamenti ynë, jo vetëm për gjeneratën tuaj, po që nga themelimi i tij, është një tregim suksesi. Me shkallën e punësimit prej 70 % të të diplomuarve në studime themelore dhe me 100% të punësimit të të diplomarve me master, ne besoj se e kemi shkallën më të lartë të punësimit të të diplomuarve në universitetin tonë.

Tash na mbetet ta marrim me mend se çfarë do të bënim më shumë, po të kishim edhe kushtet e duhura për studim! Sidoqoftë, rasti ynë dëshmon se universitetin e bëjnë të suksesshëm mësimdhënësit dhe studentët, kur janë kompetentë dhe të frymëzuar dhe bashkëveprojnë, për të arritur suksesin e përbashkët.

Sot secili prej jush meriton të lavdërohet për suksesin e arritur. Personalisht secilin prej jush do ta mbaj në kujtesë me shumë dashuri e respekt.

Poashtu secili nga mësimdhënësit meriton të lavdërohet për suksesin tonë të përbashkët. Personalisht jam krenar me kolegë e mi, siç jam i lumtur me sukseset tuaja. Dhe jam në paqe me veten time, pasi jam i sigurt se kam kontribuuar për këtë ambient motivues e të këndshëm, ku studentët respektohen dhe vlerësohen si të ishin anëtarë të familjeve tona.

Të dashur të posadiplomuar!

Marrja e diplomës në këtë universitet dhe në këtë profesion, do t’ua shtojë më shumë përgjegjësinë akademike, profesionale dhe qytetare. Tash do t’i ekspozoheni testit të vështirë në tregun e ashpër të punës, që ta ushtroni profesionit e gazetarit me etikë të lartë profesionale, etike e ligjore, apo do të rrëshkisni drejt ambicieve egoiste, të afirmimit dhe përfitimit, duke abuzuar profesionin. Jo të gjithë e kalojnë me sukses këtë test, prandaj përpiquni të jeni në grupin e atyre që e ushtrojnë me nder këtë profesion, për të cilin Gabriel Marsia Markesi, siç e dini, pati thënë se është profesioni më i bukur në botë.

Për fund: shumë nga ligjëratat dhe librat që i lexojmë, pas një kohe na duket se i harrojmë. Në fakt ne na duket se i harrojmë, por ato i përbrendësojmë në mënyrën tonë të të menduarit. Ata na fisnikëorjnë dhe na ndihmojnë të jetojmë, siç ka thënë Cvetan Todorovi. Prandaj, vazhdoni të jetoni, pra, vazhdoni të lexoni! Por, vazhdoni edhe të rilexoni, sepse rileximi është tharmi i diturive të selektuara e të verifikuara.

Nga gjithë ato lexime që u kam ngarkuar, mos e harroni asnjëherë mesazhin e Santiagos së Alkimistit të Paolo Koelos. Pra, ndiqeni lexhendën tuaj! (Stiv Gjobsi do të thoshte dëgjojeni zemrën tuaj!) Mos e harroni as Amirin e Gjuetarit të ballonave të Halid Hysejnit, pra, edhe kur kemi frikë dhe jemi përballë rrezikut real, duhet ta kryeni detyrën morale. E treta, përpiquni t’i mbroni me profesionin e gazetarit, ata që vuajnë, ashtu siç bëri Ana Politkovskaja. Jo me çmimin që ajo pagoi, por me dashurinë e saj për profesionin dhe për njerëzit.

Përtej këtyre, por më e rëndësishmja: vazhdoni të jeni njerëz të mirë!

Zoti u ndihmofë dhe u bekoftë, kudo që të jeni!

Në Prishtinë, 4 korrik 2018