Mbi 60 % e kosovarëve s’kanë kushte që të kenë mish në sofër çdo të dytën ditë

21.08.2020 22:18:29

Mishi është është një produkt veçanërisht i vlefshëm në kuptim të vlerës ushqyese, ngopjes dhe përfitimeve.  Por sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës jo të gjithë kosovarët mund të hanë mish sa herë të duan.

Mishi sipas ASK mungon në shumicën e sofrave të kosovarëve.

Nga rezultatet e Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës 2018, e të publikuara në gusht të vitit 2020, del se vetëm 38.7 për qind e ekonomive familjare në vendin tonë mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë ose peshk cdo të dytën ditë.

“38.7% e ekonomive familjare mund të përballojnë shujtën me mish, pule dhe peshk çdo të dytën ditë, ndërsa 61.3% e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë këtë shpenzim”, thuhet në këtë raport të Agjencisë së Statistikave, shkruan reporteri.

Anketa e të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës(AAKJ) u realizua për herë të parë në vendin tonë në vitin 2018.

Anketa e të Ardhurave dhe Kushteve të Jetesës (AAKJ) është në përputhje të plotë me metodologjinë e Eurostat dhe metodologjinë që përdorin të gjitha vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Kjo anketë është një instrument për mbledhjen e mikro të dhënave në kohë dhe të krahasueshme mbi të ardhurat, varfërinë, përjashtimin social dhe kushtet e jetesës.

Deri në vitin 2017 sigurimi i informacionit për treguesit kryesorë të nivelit të jetesës, mirëqenies, varfërisë dhe treguesve të tjerë është siguruar nëpërmjet Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) e zhvilluar që nga viti 2002 deri në vitin 2017.