Mbi një milion euro për memorialin “Ibrahim Rugova”

12.12.2016 10:25:57

Projekti memorialit “Ibrahim Rugova”, i cili ka filluar të realizohet në qendër të Istogut, është bashkëfinancim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe i komunës së Istogut dhe ai pritet të përfundojë në vitin 2017. Pjesë e projektit është edhe shtatorja e dr. Ibrahim Rugovës

Një bashkatdhetar i komunës së Istogut kishte bërë një projekt për ngritjen e një memoriali për presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. I nxitur nga fakti se presidenti Rugova është i Istogut, përkatësisht i Cërcës, dhe duke çmuar lart kontributin e tij për shtetin e Kosovës, ai kishte menduar se për dr. Rugoven duhet bërë diçka më shumë, që do të mbetet në kujtesën e të gjithë istogasve dhe të brezave që vijnë.

Projekti i tij memoriali “Ibrahim Rugova” kishte gjetur përkrahje, jo vetëm në komunën e Istogut por edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Lulzim Blakaj, nënkryetar i Istogut, i tha “Zërit” se bashkatdhetari e ka bërë projektin falas për të kontribuar në ngritjen e memorialit “Ibrahim Rugova”, i cili do të jetë një ndër projektet më të rëndësishme të kësaj natyre në komunën e Istogut. Sipas tij, memoriali do të ketë salla solemne, salla për konferenca, muzeun, një sallë për shitje artizanale dhe hapësira të tjera. Do të ngritet edhe një shtatore e presidentit Ibrahim Rugova dhe kjo punë do të bëhet pasi të përfundojnë të gjitha punët.

Deri me tani, sipas Blakajt kanë përfunduar dy faza të projektit, apo rreth 80 për qind e punëve.