Mbrojtja e gurgullimës së ujit

28.02.2019 18:19:01

Nga Enver Zhinipotoku

Kisha dëgjuar, para më se gjysëm shekulli, kur isha fëmijë, një plak në odë tek thoshte, se “pas lufte çdo gjë ndryshon, përveq reliefit të tokës që mbetet ai që është!”
Nuk ia paska qëlluar plaku fare, dhe, së paku se është ndryshe, e dëshmon Kosova e pas luftës.
Në Kosovën e pas luftës, kemi një tjetërsim të çdo gjëje, të të gjitha vlerave, një përvetësim pervers të çdo gjëje, që ishte shndërruar dhe mund të shndërrohej në plaçkë lufte dhe tregu.
Ata që u bënë uzurpatorë të pushtetit dhe të lirisë sonë të shumëpritur, u bënë kapësit e çdo gjëje.Çdo vlerë( ato që dhëmbi i luftës nuk i shkatërroi), tokat, kodrat, banesat, resurset që sillnin fitime PTK, KEK, RTK, u pushtuan nga të babëziturit, që synim kishin, jo atdheun, por pushtetin dhe privilegjet e tij.Tanimë nuk ka mbetur asgjë të mbrohet, përveç gurgullimës së lumejve.
Banorët e Pejës me shumë të drejtë po protestojnë që të mos u degradohet Gryka e Rugovës dhe Lumbardhi i tyre si një mrekulli që i ka falur Zoti këtij vendi, që të mos ndodhë sikur me Grykën dhe Lumbardhin e Deçanit, ku askush nuk ka fituar asgjë, përveç Manastirit të Deçanit, që e merr rrymë nga të ashtuquajturit hidrocentrale, dhe kapësve të shtetit.Për çudi, i njejti operator që e ka shkatërruar Lumbardhin e Deçanit, siç thonë banorët, tash i kthehet Grykës dhe Lumbardhit të Pejës.Ai si operator ekonomik, siç e dëgjova një ditë një kronikë TV, paska vetëm një punëtor dhe 1 mijë euro në xhirollogari! Dhe, i tilli konkuron dhe fiton tenderin për të ndërtuar hidrocentrale mbi Lumbardhë, për ta shkatërruar atë mrekulli që i ka dhuruar natyra këtij vendi!!!
Kush i ka fajet këtu?! Shteti, të cilin kapësit e kanë kthyer në “shtet të poshtër”, që nuk mendon për qytetarin, por për pushtetarin dhe xhepat e tij.
Kapësit e shtetit kanë uzurpuar banesat, dyqanet, restoranet e hotelet, PTK-në, RTK-në, shkollat, gjyqet, spitalet, rrugët, gurëthyesit, tokat dhe çdo gjë tjetër, që mund të sjellë përfitime materiale. Mentaliteti i shpërfilljes së objekteve e resurseve publike, prej shkollës, deri tek paraja e buxhetit të Kosovës, ka mbërritur tani në fund te gurgullima e lumit.
Në një shkrim autorial dje në “Koha Ditore” me titull ” Fishkëllima në terr”, publicisti Veton Surroi në mënyrë brilante konstaton: “Qytetari i cili nuk ka mundur ta mbronte (nuk është organizuar, nuk ka dashur të organizohej, nuk ka mundur të organizohej, nuk ka pasur kush t’i prijë- që të gjitha këto zhvillohen si interpretime legjitime), RTK-në, PTK-në, shkollën, shëndetësinë, tash në fund po detyrohet ta mbrojë gurgullimën e lumit, e vetmja gjë e mbetur dhe e paprekur, apo e paprishur nga kapja e shtetit.
Atëherë, kur të prishet edhe gurgullima e lumit, qytetari do të ketë mbetur pa shtëpi”.
Një gjë po e shohin edhe të verbërit në këtë vend: më së vështiri qenka të shpëtohet atdheu nga kthetrat e lakmiqarëve të pushtetit, të shndërruar në “revolucionarë”, si mbrojtës të tij!