Mbrojtja e Rexhep Selimit kërkon lirimin e tij nga paraburgimi

14.12.2020 21:50:13

Më 12 dhjetor 2020, mbrojtësi kryesor i Rexhep Selimit, avokati David Young ka paraqitur një kërkesë tek gjykatësi i procedurës paraprake për lirimin e përkohshëm të tij nga masa e paraburgimit.

Sipas mbrojtjes, gjykata duhet ta aprovojë këtë kërkesë pasi që Selimi është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka një stabilitet familjar dhe në vazhdimësi ka pasur një bashkëpunim me Dhomat e Specializuara.

Sipas mbrojtjes, këto arsye janë të mjaftueshme për të dëshmuar se Selimi nuk do të largohet nga Kosova.

Po ashtu, në kërkesën e avokatit Young, thuhet se Selimi i ka përmbushur të gjitha detyrimet e kërkuara nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja e Selimit ka vlerësuar se i njëjti duhet të lirohet sepse nuk janë përmbushur kushtet e nenit 41, pika 6 (b), të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa në alternativë, mbrojtja ka kërkuar lirimin e përkohshëm me kushte të arsyeshme të vendosura nga gjykatësi i procedurës paraprake të cilat do të siguronin pjesëmarrjen e Selimit në seanca dhe mbrojtjen e integritetit të hetimit të zyrës së Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të shqyrtuar këtë kërkesë, mbrojtja ka propozuar të mbahet një seancë dëgjimore më datën 16 dhjetor 2020.

Ndryshe, Selimi me 5 nëntor u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj tij, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit u publikua me 5 nëntor.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.