Mbyllet paralelja në Drenas, nxënësit detyrohen të udhëtojnë 5 kilometra (Video)

28.08.2018 22:35:54

Në fshatin Abri e Epërme në Drenas është mbyllur shkolla “7 Shtatori”.

Rreth 100 nxënës do të transferohen në shkollën amë “Shote Galica” që është në pjesën tjetër të fshatit.

Një gjë e tillë ka shqetësuar prindërit, ndërsa nga Komuna e Drenasit vendimin po e arsyetojnë me numrin e vogël të nxënësve.

“I kam tri vajza, dua këtu me i pru për shkollim, jo mi dërgua larg 5-6 kilometra pasi atje ka edhe qenë endacak”, shprehet një prind.

“Fillimisht nuk kemi dëshirë mi dërgua në shkollën tjetër fëmijët, as këta nuk dëshirojnë të shkojnë”, shprehet e ëma e një nxënësi tjetër.

Për mësuesin Imer Hysenaj, ky vendim është befasues.

“Shkolla i ka të gjitha brenda, me ujë, me pastërti, me banka, me cilësi”, shprehet arsimtare Imer Hysenaj.

Por, në Komunën e Drenasit, këtë vendim e arsyetojnë me mungesën e nxënësve dhe buxhetit.

“Arsyeja është numri tepër i vogël i nxënësve, e mundësitë buxhetore janë të kufizuara. Arsye tjetër është se shpenzimet janë dyfish më të larta në krahasim me shkollën amë”, shprehet Tafil Halilaj, drejtor i DKA-së në Komunën e Drenasit./Klan Kosova/