Mbyten 4 shqiptarë në Vlorë

15.07.2017 19:28:20

Gjatë ditës së sotme, katër shqiptarë u mbytën në det

Pushimet mbaruan në mënyrë tragjike për katër persona në bregdetin e Vlorës. Në vetëm pak orë, tre të rinjë dhe një adoleshent u mbyten, pa mundur t’u jepet ndihma e duhur. Ngjarja ndodhi në Zvernec, në zonën e Portonovës, si dhe në plazhin pranë shkollës së Marinës.

Ngjarja më e rëndë ndodhi në Zvërnec, rreth orës 14:30 kur 25-vjeçarja nga Tirana, Xhoana Cani ka kërkuar ndihmë se po mbytej. Teksa e ka parë të përpëlitej në ujë 24-vjeçari nga Tetova, Beniamin Ferati, është futur në det, duke tentuar t’i vijë në ndihme, por pa rezultat. Në ndihmë të dy të rinjve ka shkuar edhe 27-vjeçarja, Manuela Maraj, e cila fatkeqësisht së bashku me dy të tjerët nuk kanë mundur të dalë në breg.

Dita e sotme ishte tragjike edhe për  një 14-vjeçar, i cili u mbyt gjatë paradites. Viktima Endrit Bejkotaraj u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit bregdetar por, pa mundur të shpëtojë. Pavarësisht se ishin pushuesit e ata që i dhanë ndihmën e parë të riut, kjo gjë nuk mjaftoi. Nga hetimet e para rezulton se adoleshenti 14-vjeçar mund të jetë mbytur nga lodhja duke notuar pasi edhe deti kishte dallgë.

Ndryshe, gjatë javës së fundit edhe dy pushues të tjerë kanë humbur jetën në Vlorë.