Me ndihmën e makinerive të angazhuara nga Kosova me urdhër të ministrit Zharku, zhbllokohen rrugët e disa fshatrave të Kukësit

13.01.2017 11:58:59

Me kërkesë të deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Namik Dokle dhe banorëve të fshatrave Borje dhe Shishtavec të Kukësit, ministri i infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, angazhuan ekipe kosovare për hapjen e rrugëve nga drejtimi i Prizrenit në drejtim të këtyre fshatrave të Kukësit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit shqiptar dhe banorëve të zonës duke i falënderuar ministrin Zharku dhe ambasadorin Minxhozi.

Deputeti i Kuvendi i Shqipërisë, Namik Dokle, në profilin e tij në “Facebook”, ka falënderuar ministrin Zharku për këtë punë  që ka bërë që të zhbllokohen fshatrat e Shqipërisë.

“Falënderim dhe mirënjohje pa kufi. Përzemërsisht u jam mirënjohës ambasadorit tonë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ministrit të infrastrukturës në Republikën e Kosovës, Lutfi Zharku dhe bashkëpunëtorëve të tij!. Sapo i njoftuam që bora e madhe kishte bllokuar fshatrat Borje dhe Shishtavec dhe se zhbllokimi nga drejtimi i Kukësit do të vonohej shumë, morën masa të menjëhereshme, angazhuan njerëzit, shkuan edhe vetë dhe sotShishtaveci dhe Borja e kanë të hapur rrugën drejt Prizrenit e prej andej për në Kukës, Tirane e kudo, ku njerëzit mund të kenë nevojë. Punë e mrekullueshme! Ndjehesh vërtetë shumë mirë, kur shikon veprime të tilla, sa të përgjegjeshme po aq edhe njerëzore, sa të thjeshta në dukje po aq edhe të madhërishme në vlerat që bartin e mesazhin që trasmetojnë. Mirenjohje Lutfi, mirenjohje Qemal!””, ka theksuar ai.