Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se në takimin e Organizatës Botërore të Doganave (WCO) në Bruksel gjatë shqyrtimit të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, kësaj të fundit i është marrë e drejta e votës.
Kjo çështje, sipas MPJ-së së Serbisë, është suspenduar deri në njoftimin e radhës, shkruan tanjug.
MPJ-ja serbe ka thënë se është propozuar një grup punues i cili do të shqyrtojë rastin e Kosovës dhe do të propozojë një zgjidhje për statusin e saj të ardhshëm. E deri atëherë, gjithnjë sipas MPJ-së serbe, vendimi i vlefshëm do të jetë ai i vitit 2012 se pranimi i Kosovës në WCO është i hershëm.
Mbledhja e jashtëzakonshme e WCO-së do të mbahet në fund të vitit dhe aty pritet të definohet gjithçka, transmeton lajmi.net.
Kosova e kishte quajtuar historike pranimin e Kosovës në WCO, më 3 mars të këtij viti. Për këtë pranim në konferencë për media patën dalë kryeministri Isa Mustafa, dhe ministrat Enver Hoxhaj dhe Avdullah Hoti.
“Anëtarësimi në këtë Organizatë është tepër i rëndësishëm për rrugën e anëtarësimit tonë të mëtutjeshëm në organizatat e jashtme, është një anëtarësim gati i barasvlershëm me anëtarësimin në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që lidhet me zhvillimin tonë ekonomik dhe financiar. Ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për avancimin e raporteve ekonomike dhe tregtare të Kosovës me të gjitha shtetet e botës, anëtare të kësaj Konvente, si dhe për shumë aspekte të tjera që lidhen me shtetësinë dhe progresin në Kosovë”, pati thënë Mustafa.







































