“Mehmet Akif” mirëpret seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit

04.04.2018 13:02:05

Sot prej orës 14:00 është paraparë mbajtja e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me rastin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Përmes një komunikate, kolegji “Mehmet Akif” dhe familjarët e të dëbuarve kanë bërë të ditur se mirëpresin këtë seancë, duke e vlerësuar atë si sado pak ngushëlluese.

Tutje ky kolegj, si dhe familjarët e të dëbuarve, e shohin këtë nismë si shenjë e mirë që të vihet drejtësia në vend, dhe të parandalohen ngjarjet e tilla.

“I njoftojmë te gjithë institucionet dhe mediat kosovare qe jemi te gatshëm për bashkëpunim qe ngjarjet dhe akuzat e pabaza te vërtetohen ligjërisht larg interesave politike apo institucionale”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu institucioni ka përsëritur se ushtrojnë aktivitetin në Kosovë që prej dy dekadash, në përputhje me standardet dhe normat ligjore, përcjell KosovaPress.

Ndër tjerash, këtu shprehet edhe shqetësimi lidhur me, siç shprehen ata, fabrikimin e justifikimeve për ta mbuluar aktin joligjor.

“E ndiejmë te nevojshme t’ju bëjmë me dije se pas kidnapimit te mësimdhënësve tanë ka nisur ne te njëjtën kohe edhe fabrikimi  i justifikimeve për te mbuluar aktin joligjor dhe te turpshëm te rrëmbimit. Në disa media elektronike janë shfaqur informacione te pavërteta për rekrutim dhe financime te paligjshme, gjë qe nuk pasqyron realitetin. Institucioni jone dhe familjaret  e te dëbuarve do te ankohen konform ligjeve për lajmet e rreme”, thuhet në këtë njoftim.