Merkel sot bisedon me Vuçiqin për dialogun Kosovë-Serbi

08.06.2019 09:03:11

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se sot do të zhvillojë një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ku temë kryesore do të jetë Kosova.

Siç raportojnë mediat serbe, bisedën me kancelaren gjermane presidenti serb e ka paralajmëruar të premten para gazetarëve në Bratisllavë, ku mori pjesë në forumin ndërkombëtar GLOBEC.

“Çfarë tjetër mund të jetë tema e bisedës, përveç Kosovës. Do ta pyes për përkrahjen dhe ndihmën e Gjermanisë dhe investimet gjermane. Por, sigurisht që tema do të jetë Kosova”, tha Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Biseda e Vuçiqit me kancelaren Merkel vjen pas takimit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me kancelaren gjermane, të enjten në Berlin dhe para samitit të Parisit më 1 korrik.

Ndryshe , Presidenti serb Vuçiq dhe ai i Kosovës Hahim Thaçi janë takuar në forumin ndërkombëtar GLOBEC që po mbahet në Bratisllavë.

Vuçiqi ka thënë se është i gatshëm për çfarëdo lloj negociate me Kosovën, por me kusht që të hiqet taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.