Mes makinës së qepjes dhe lobimit për Kosovën në Francë

17.02.2018 19:47:57
Izet Curri i cili është rritur në lagjen e Gazi Babës në Shkup dhe që krenohet me prejardhjen e tij nga rrethina e Kaçanikut ka arritur të prekë shtëpitë e skenat më të njohura të modës në Francë e më gjerë. Talenti dhe këmbëngulja e tij në punë bënë që ai të kishte në rrethin e tij shoqëror njerëz me emër në kulturë, gazetari, politikë e në art.

Qendra Kulturore Shqiptare u bë simbol i lobit shqiptar në Francë për çështjen e Kosovës, ndërsa Izet Curri u bë adresa e politikanëve të Kosovës të cilët donin t’i tregonin botës se çfarë po përgatitej në Kosovë nga serbët.

Izet Curri ka mësuar zanatin e rrobaqepësisë te mjeshtërit më të njohur në ish-Jugosllavi qysh si fëmijë në Shkup në vitet e 60-ta. Izet Curri së bashku me një shok të tij të cilët ndanin së bashku të njejtin zanatë, kishin vendosur ta hapnin në Shkup një dyqan për shitjen e modeleve të cilat ata vetë i qepnin.

“Kemi vendosur që ta hapim një dyqan në Shkup, jo dyqan me rrobaqepësie por me shitë dhe konsiderohej atëherë që ishte dyqani i parë në Jugosllavi, në vitin 1969, sepse rrobaqepësa ka pasur plot por dyqane nuk ka pasur”, ka rrëfyer Curri.

Ideja për të shkuar në Francë kishte ardhur krejt rastësisht kur ishte hapur dyqani. Dikush duhet të shkonte në Francë për të blerë material për dyqan. Izet Curri nuk e kishte menduar asnjëherë se rruga e tij për në Paris do të kishte biletë kthyese pas dy viteve.

“Shkuarja në Francë ka qenë si lojë, hajde kush po shkon në Paris se nuk e kemi pasë internetin sikur sot, revistat nuk kanë ardhë sikur sot edhe u vendos që unë të shkoj”, ka shpjeguar ai.

Paratë që i kishte me vete në Paris i kishte harxhuar dhe nuk i kishin mbetur më as për ta paguar hotelin ku kishte qëndruar për disa ditë. Personeli i hotelit ia kishte marrë valixhen, pasaportën dhe e kishin larguar nga hoteli.

“Nuk dija çka të bëja, kisha mbetur në rrugë, nuk e dija gjuhën, e vetmja gjë që e kisha me vete ishte ai mjeti i vogël që e vendosim në gisht derisa qepim, shkoja nëpër dyqane për të kërkuar punë, duke ua treguar atë, nëpër dyçane e kuptonin se çfarë pune bëja”, ka thënë Curri.

Ideja ishte që të punonte sa për të mbledhur para për të blerë biletën për tu kthyer në Shkup. Po nuk ndodhi ashtu. Si 22 vjeçar ai filloi të punonte në një nga shtëpitë më luksoze të modës në Paris.

‘Hermesi’ i kishte propozuar që Izet Currit që të fillonte të punonte me ta madje ata do t’ia paguanin hotelin, do t’ia merrnin pasaportën dhe do t’ia gjenin banesën vetëm e vetëm që ky të pranonte të punonte me ta.

Artikulli për Izet Currin në revistën Teuta në vitin 1997, Foto: Kallxo.com

“Unë u thashë që nuk mundem me punu se nuk kam dokumente, ata më pyetën se ku i kam dokumentet e unë i tregova që më kishin mbetur në hotel, më thanë që ne e marrim pasaportën tënde, ne e paguajmë hotelin, ne ta gjejmë banesën veç me punu tek ne. Si mund ta refuzoja unë këtë ofertë, unë isha në rrugë”, tha Izet Curri.

Mosha mesatare e punëtorëve në ‘Hermes’ ishte 55 vjeç kurse Izet Curri ishte vetëm 22 vjeç. Puna në ‘Hermes’ kishin bërë që Izet Curri të ndërronte mendjen për tu kthyer pranë familjes së tij në Shkup. Përfundimisht kishte vendosur të qëndronte në Paris.

Duke parë talentin e Currit, ‘Hermesi’ e kishte regjistruar në shkollën e modës në Paris dhe po ashtu edhe në kursin e gjuhës frënge.

Si 24 vjeçar Curri ishte ngitur në pozitën drejtorit teknik në ‘Hermes’.  E nga ana tjetër kishte arritur të hapte edhe punëtorinë e tij.

“Unë mund të punoja në punëtorinë time pasi me Hermesin nuk kisha kontratë ekskluzive, të punoja vetëm për ta. E gjithë jeta më ka shku edhe duke e pasur punëtorinë time edhe duke punuar diku tjetër”, ka thënë modelisti Curri.

Pas katër vjet e gjysmë sa kishte punuar në ‘Hermes’ ai kishte vendosur të ndërronte punën dhe të fillonte bashkëpunimin me avangardistin e modës, Thierry Mugler, e më vonë edhe me Azzedine Alaia të cilin Curri e konsideron fenomen të shekullit XX.

Izet Curri e kishte hapur edhe punëtorinë e dytë në Paris, madje të gjitha kreacionet mbanin emrin e tij.

“Në njërën punëtori i kemi shitur modelet me emrin tim e në tjetrën punonim për punëtoritë e tjera. Punëtorinë në të cilën punonim për të tjerët e kam mbyllur në vitin 2004. Kur e kam mbyllur këtë punëtori edhe punëtorët kanë dalë në pension pasi kur kanë fillu me punu tek unë kanë qenë rreth 45 ose 50 vjeçar”, ka shpjeguar kreatori i modës, Izet Curri.

Izet Curri ka bashkëpunuar edhe me njesinë elitare të pilotëve të ushtrisë franceze të cilëve ka pasur privilegjin t’ua modeloj kostumet për 12 vjet me radhë.

“Njëra ndër krenaritë e mia më të mëdha në punën time ka qenë të punoja me ta”, ka thënë Curri.

Pilotët francezë me kostumet e modeluara nga Izet Curri (Izet Curri, në mes me këmishë të bardhë), Foto: Gazeta Nacional

Punëtoria në të cilën modelet janë shitur në emrin tij ka funksionuar deri në vitin 2012 kur kishte filluar të kishte probleme me shëndet. Këtë punëtori ua kishte shitur punëtorëve të tij.

Në vitin 2011 në Shkup Izet Curri e ka hapur Institutin Internacional të Modës “Izet Curri” ku për çdo vit i bashkëngjiten studentë nga Kosova e Maqedonia që me profesionin e tyre synojnë të prekin pasarelat e njohura të modës.

Lobi politik për Kosovën i fshehur pas aktiviteteve kulturore

‘Ambasadorët më të mirë të shtetit janë artistët’, është thënia që i përshtatet Izet Currit i cili përmes lidhjeve që i ka krijuar përmes profesionit të tij ka arritur të loboj për Kosovën në Francë në kohën më të vështirë të saj.

Në vitin 1986 Izet Curri së bashku me piktorët Valdet Kuçi, Musa Jupolli, Daut Berisha, e aktorin Rexhep Mitrovica e kanë themeluar Qendrën Kulturore Shqiptare në Paris.

Edhe pse në statutin e Qendrës thuhej që ata do të merreshin vetëm me kulturë, lobi i tyre politik fshihej gjithmonë prapa aktiviteteve të tyre kulturore.

Secili prej artistëve që kanë qenë pjesë e Qendrës ka pasur autoritet në fusha të caktuara të artit.

Qendra kishte filluar të funksiononte në dy zyret, të cilat Izet Curri ua kishte lëshuar në punëtorinë e tij të modës në Paris.

“Në vitet pasi e kemi themelu qendrën, në vitin 87, 88 të gjithë njerëzit që donin të merreshin me politikë për Kosovën si Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Alush Gashi e Ibrahim Rugova dhe të Shqipërisë si Gramos Pashko, Besnik Mustafai kanë ardhur tek ne, Qendra ka qenë një adresë ku janë mbledhur njerëzit”, ka shtuar Izet Curri.

Gazetari i njohur shqiptar në Lubjanë të Sllovenisë, Sali Kabashi i cili ka dhënë kontributin e tij në vitet e 90-ta, që çështja e Kosovës t’ju shkojë në vesh ndërkombëtarëve, ka përsëritur për gazetën JnK, porosinë që i kishte dhënë në vitin 1989 slloveni Jasha Zllobec, shkrimtari dhe profesori i gjuhës dhe letërsisë franceze në vitet ’80 dhe ’90, para se të nisej për në Paris për të takuar Izet Currin.

“Në Paris ju keni një njeri të shquar, një dizajner mode dhe personalitet të rëndësishëm me lidhje të shumta e të ngushta jo vetëm me botën e haute couture-ës, ku ai qëndron shumë lart, por edhe me miqësi me emra të shquar jo vetëm të kulturës, të filmit, të letërsisë, gazetarisë, por edhe të politikës e të diplomacisë franceze, evropiane e botërore. Atje ju keni Izet Currin. Kontakti me të do të ndihmonte shumë në këto që ju bëni e që doni t’i arrini për vendin e popullin tuaj”, ka rrëfyer Kabashi.

Nëpër galeri të ndryshme të Parisit, Qendra Kulturore Shqiptare organizonte ekspozita të ndryshme në mënyrë që të binin në kontakt me njerëzit e pushtetshëm në Francë.

“Kur vinin figurat e njohura nga Kosova ata kërkonin që të takoheshin me një ministër, me një deputet, një gazetar me tregu se çka u përgatitke në Kosovë”, ka rrëfyer Curri.

Në vitin 1990 Izet Curri kishte modeluar veshjet e personazheve të operës ‘Cosi Fan Tutte’ të kompozuar nga Mozarti. Tre nga personazhet e operës kishin mbajtur të veshura në skenë veshjet tradicionale shqiptare të cilat ua kishte stiluar Izet Curri.

Tre personazhet e operës ‘Cosi Fan Tutte’ me veshjet tradicionale shqiptare të modeluara nga Izet Curri, Foto: Kallxo.com

Sali Kabashi ka rrëfyer se me Izet Currin qysh në takimin e parë ishin miqësuar sikur të njiheshin një kohë të gjatë me njëri tjetrin. Ai tha se relacionit politik Lubjanë – Prishtinë, iu shtua edhe pika tjetër e vlefshme e Parisit.

“Delegacione shqiptarësh nga Kosova e Maqedonia zunë të shkojnë e të raportojnë për gjendjen shpërthyese në vendin e tyre. Të gjitha këto delegacione, përfshirë edhe ato të prira nga Ibrahim Rugova, Zekeria Cana, Luljeta Pula-Beqiri, Hajrullah Gorani…, dilte, i priste dhe u bënte vend e konak Izet Curri”, ka theksuar Kabashi.

Izet Curri e kishte mik Bernard Kouchnerin, i cili në vitet 1989 – 1990 ka qenë sekretar i Francës për çështje humanitare, kurse në vitet 1999 – 2000 ka pasur postin e kryeadministratorit të Kosovës, i emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan. Curri e kishte njohur kryeadministratorin e Kosovës përmes gruas së tij të cilën e kishte kliente në punëtori.

Përmes Kouchnerit i cili ka qenë bashkëthemelues i organiazatës ‘Mjekët pa Kufij’ dhe Shoqatës së Mjekëve Botëror ka arritur të njihet me mjekët të cilët në vitet e 90-ta kanë ardhur në Kosovë për të marrë mostrat dhe për të vërtetuar se kishte pasur helmim të mijëra të rinjëve. Në atë kohë qeveria jugosllave kishte dalur me një njoftim se nuk kishte pasur helmim.

“Kushneri më ka njoftuar me mjekët, me toksikologët e ne i kemi paguar 4 toksiokologë që të vijnë të marrin mostra për helmimet e të rinjëve. Shtëpia e toksiokologëve në Francë e pati shpallur që ka pasur helmime të të rinjëve në Kosovë. Të tjerët janë habitur se si kanë ardhur mostrat në Francë, por doktorët kanë qëndruar 15 ditë në Kosovë, ata kanë ardhur kinse me qëllime humanitare e në anën tetër i kanë marrë mostrat për me vërtetu se a ka pasur helmime”, ka theksuar Curri.

Njëri ndër aktivitetet e tjera që Qendra Kulturore Shqiptare në Paris ishte mbledhja e barnave të cilat si destinacion do të kishin Kosovën. Por arritja e tyre në Kosovë ishte e pamundur pasi kush do të merrte guximin t’i pranonte do të burgosej.

“Ne mbledhnim barna po nuk i pranonin në Kosovë se pastaj burgoseshin atëherë Ibrahim Rugova edhe Sali Berisha vendosën që barnat të dërgoheshin në Shqipëri, kështu që ne i kemi dërguar në Shqipëri kështu që ata t’i bartnin pak e nga pak në Kosovë”, ka shpjeguar professor Izet Curri.

Pas tri vjetëve zyret e Qendrës Kulturore Shqiptare ishin zhvendosur në apartamentin 180 metra katror të Izet Currit në një nga lagjet më luksoze të Parisit.

Në vitet e 90-ta kur në Kosovë u mbyllën të gjitha mediat dhe kishte terr informativ, Qendra Kulturore Shqiptare në Paris në krye me Izet Currin kishin financuar Radio Zagrebin që në ora 21 të transmetonte lajme në gjuhën shqipe.

Izet Curri ka rrëfyer edhe një detaj të shkëputur nga përvoja e tij me Kryqin e Kuq në Francë, të cilët kanë kontribuar për të dërguar ndihma për kosovarët gjatë luftës në Kosovë.

“Kryqi i Kuq bënte apel në Francë që të mblidheshin gjëra ushqimore dhe higjenike përmes vullnetarëve të tyre për Kosovën, interesante ishte se kurrë në histori nuk ka ndodhur që Kryqi i Kuq pas dy ditëve të bëj apel që të ndalet mbledhja e ndihmave për shkak se nuk kishin ku t’i vendosnin më, aq solidar kanë qenë populli francez”, ka potencuar Curri.

Projekti për gratë e dhunuara të Bosnjës

Izet Curri së bashku me Maria Novak nga Banka Botërore, UNESCO-n dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1994 kishin filluar një projekt të përbashkët për gratë e dhunuara gjatë luftës në Bosnje i cili kishte zgjatur për katër vjet.

Gratë e dhunuara ishin mbledhur në fshatra të ndryshme rreth Sarajevës. Izet Curri ishte prezantuar para tyre si një njeri i modës dhe si dikush që kishte nevojë për gra që dinin të thurrnin.

“Secila prej tyre u paraqit që unë di të thurri xhemper, tjetra unë di kapele, tjetra unë di qorape, dhe çdo punë të cilën ato e përfundonin ne ua paguanim”, ka shtuar Curri.

Curri së bashku me një kostumografe nga Sarajeva ua vizitonin grave të Bosnjës modelet në mënyrë që ato t’i thurrnin. 6 gra të cilat vinin nga regjione të ndryshme të Bosnjës ishin dërguar në kurs në Francë për të mësuar edhe më shumë si të punonin në dorë por edhe me makineri gjysmë industriale. Pastaj këto 6 gra kur janë kthyer në Bosnje i kanë mësuar edhe gratë e tjera nga përvoja e tyre.

Xhemperët e thurrur nga gratë e dhunuara në luftën e Bosnjës, Foto: Kallxo.com

E gjithë puna në dorë e grave ishte ekspozuar në koridoret e objektit të UNESCO-s në Paris dhe të gjitha modelet e thurrura në dorë nga gratë e Bosnjës ishin shitur për shumë pak ditë.

Madje në Paris ishte organizuar sfilatë ku modelet që kanë defiluar në pasarelë kanë mbatur të veshura punën e grave të dhunuara të Bosnjës.

Në sallën ku po mbahej sfilata ishin të pranishëm 12 mijë veta, rreshti i parë i ulëseve ishte i rezervuar për gratë të cilat i kishin punuar me duart e tyre kreacionet që do të prezantoheshin para të pranishmëve.

“Gratë kurrë nuk e kanë harruar tragjedinë që u ka ndodhur por mua më dukej sikur ato duke punuar edhe duke fituar para nga puna e duarve të tyre, madje edhe respektoheshin nga të tjerët, e harronin përkohësisht tragjedinë e tyre”, shpjegoi Curri i emocionuar duke rrëfyer ngjarjen që kishte ndodhur shumë vite më parë.

Sfilata në Paris kishte pasur sukses kështu që turi i saj kishte vazhduar edhe në Spanjë e në Luksemburg ku ishte marrë përsipër të organizohej nga princeshat e këtyre vendeve.

Shumë prej grave sipas Currit vazhdojnë të punojnë nëpër kompanitë më të madhe të tekstilit e të modës.

Izet Curri është shprehur se të njejtin projekt ka dashur ta realizoj edhe në Kosovë por nuk e ka pasur mbështetjen qeveritare për të bërë thirrje te Banka Botërore për mbështetje të projektit në Kosovë.

“Për Kosovë ideja ishte edhe më e mirë, përpos xhemperëve ideja ishte edhe me perde, çarçafë e sofrabezë për hotele por nuk u realizua”, përfundoi Curri.