Mësimdhënësit e American School of Kosova në mesin e më të dalluarve në botë

14.05.2019 15:07:09

Tre mësimdhënës të American School of Kosova, Fegjrie Sela, Ujkane Hana-Beshiri dhe Almenda Gashi-Terziu, kanë fituar mundësinë për të përfaqësuar Kosovën në Forumin Pedagogjik Ndërkombëtar 2019.

Sipas një njoftimi, ky forum sjell vetëm mësimdhënësit më të dalluar nga të gjitha vendet e botës, për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira mes vete.

Forumi Pedagogjik (International Pedagogical Forum, IPF-2019) është platformë për ekspertët e arsimit, me qëllim të shkëmbimit të metodave, ideve dhe eksperiencës mes tyre, si dhe të kërkimit të zgjidhjeve për sfidat aktuale të arsimit në botë.

Tema e këtij forumi do të jetë ‘Kush janë të diplomuarit e vitit 2050?’.

Diskutimi dhe prezantimet do të fokusohen kryesisht në aftësitë që po iu mësohen nxënësve për t’i përgatitur sa më mirë për të ardhmen.

Temat që do të shtjellohen nga mësimdhënësit e American School of Kosova janë: ‘Mësimdhënia në ekip nëpër nivele të ndryshme’; ‘Edukimi i fëmijëve me mentalitet të zhvillimit; dhe ‘Sa janë të rëndësishme eksperimentet për mësimnxënie më efektive’.

Ky forum do të mbahet në 5 vende të ndryshme në të njëjtën kohë: Uashington, Berlin, Varshavë, Helsinki dhe Singapor.