Messi dërgon Argjentinën në Rusi dhe hyn në histori

11.10.2017 08:58:37

Lionel Messi ka konfirmuar edhe një herë se është një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, nëse jo më i miri. Ylli i Barcelona-s ka udhëhequr Argjentinën drejt fitores 3-1 në fushën e Ekuadorit, duke i siguruar “Albicelestes” kualifikimin direkt në fazën finale të Kupës së Botës që do të luhet verën e ardhshme në Rusi.

Gjithçka ka nisur keq për bardhekaltrit, me Ekuadorin që ka zhbllokuar ndeshjen pas vetëm 38 sekondash lojë, duke kapur në befasi mbrojtjen mike me një gol të Ibarra-s. Pas tronditjes fillestare, Argjentina është vënë në kërkim të golit të barazimit që ka ardhur në minutën e 12-të me Messi-n, i cili ka mposhtur portierin Banguera me një goditje të shpejtë me të majtën brenda zonës së rreptësisë pas një pasimi nga Di Maria. Tetë minuta më vonë ka ardhur edhe përmbysja e miqve, përsëri me Messi-n, që këtë herë ka realizuar një gol magjik dhe njëkohësisht historik.

Me këtë gol Leo është bërë lojtari i parë në historinë e elminatoreve për Kupën e Botës të Amerikës së Jugut me 20 realizime. “Pleshti” ka qenë protagonist edhe në pjesën e dytë, duke realizuar golin edhe golin e tretë që ka mbyllur ndeshjen. Ka qenë një tjetër mrekulli nga numri 10-të, i cili ka arritur të dërgojë topin në rrjetë me një goditje të pabesueshme në rënie e sipër, pasi është shtyrë nga një nga mbrojtësit e Euadorit. Kështu, Argjentina e ka mbyllur fazën eliminatore në vendin e tretë dhe ka prerë biletën për në Rusi.