Messi historik, Barcelona ia mbledh “8 me 2” Huesca-s

02.09.2018 22:00:19

Barcelona ka marrë fitoren e tretë radhazi në kampionatin spanjoll pas fitores tenistike 8-2 të arritur kundër Huesca-s në “Camp Nou”. Ka qenë një performancë e jashtëzakonshme nga Messi me shokë, me këtë të fundit që ka shkruar historinë në La Liga, duke u bërë lojtari i parë në këtë kampionat që regjistron 150 asiste në shekullin e 21-të.

Dhe të mendosh se gjithçka ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme për miqtë, të cilët kanë kaluar në avantazh pas vetëm 3 minutashg lojë me Cucho-n. Një avantazh ky që ka zgjatur plot 13 minuta, teksa Messi ka kthyer ekuilibrin në të 16-ën.

Tetë minuta më vonë ka ardhur përmbysje me autogolin e Pulido-s, teksa Luis Suarez ka realizuar golin e tretë për vendasit në minutën e 39-të. Miqtë nuk janë dorëzuar dhe tri minuta para fundit të pjesës së parë kanë ngushtuar diferencat me Gallar.

Në pjesën e dytë kanë ardhur katër gola të tjerë të katalanasve, të cilët kanë realizuar dy herë në harkun e katër minutave me Dembele (48′) dhe Rakitic (52′). Messi (61′), Alba (81′) dhe Suarez (82′, me penallti) kanë shënuar tre të tjerët, duke fiksuar shifrat në 8-2.

Barcelona është ngjitur në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Real Madrid, por ka rimarrë kreun e renditjes falë diferencës së golave. Huesca, nga ana tjetër mban vendin e 13-të në kampionat me katër pikë pas tri javëve të para.