Meta bën thirrjen e fortë: Më 8 dhjetor të gjithë në shesh me flamuj kombëtar

25.11.2019 16:14:43

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen në sheshin “Demokracia” në “Qytetin Studenti” më 8 dhjetor.

Kreu i Shtetit deklaron se Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, duke shtuar se populli nuk mund të jetë më viktimë e partive politike.

Postimi i Metës

Të dashur qytetarë!

Më 8 dhjetor ju pres në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia”!

Le të nderojmë së bashku studentët e Dhjetorit, të cilët me guximin e tyre çelën një epokë të re për shqiptarët, atë të demokracisë që kjo pakicë politike e ka tradhtuar, duke shpopulluar vendin, duke eliminuar përfaqësimin e qytetarëve e duke kapur shtetin përmes dhunimit të Kushtetutës e ligjit.

Mjaft me këtë pakicë politike që keq qeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi! Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998.

Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, që partitë të jenë nën presionin e popullit, të interesit publik dhe kombëtar dhe jo si tani që populli të jetë viktimë e partive dhe në mëshirën e tyre. Të gjithë vetëm me flamuj kombëtar në Shesh më 8 Dhjetor!

Shqipëria e Para!