Meta: Ka ardhur koha që Shqipëria ta pastrojë temën e zgjedhjeve me probleme

11.03.2017 11:19:09

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se të gjithë qytetarët shqiptarë janë të interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe theksoi se ka ardhur koha që Shqipëria ta pastrojë një herë e mirë temën e zgjedhjeve me probleme pasi “cenimi i zgjedhjeve, aq më keq dështimi i tyre, do të ishte një pengesë dramatike për të ardhmen e stabilitetit të vendit, sepse për integrimit evropian nuk bëhet më fjalë.”

“Kjo kërkon një dialog politik proaktiv, larg ultimatumeve të cilat nuk e ndihmojnë dialogun dhe nuk ndihmojnë krijimin e një klime mirëkuptuese dhe zgjidhëse të problemeve. Dhe shpresoj që opozita të jetë më aktive gjithashtu për zhvillimin e këtij dialogu dhe jo ta ndërpresë atë në mënyrë të njëanshme dhe jo shumë të dobishme do të thosha”, nenvizoi ai.

Zoti Meta vuri ne dukje se çështja e zgjedhjeve dhe vazhdimit të reformës dhe zbatimit të ligjit të Vetting-ut jane çështje themelore dhe prandaj duhet një dialog më proaktiv dhe bashkëpunues, “sepse ky është vendi i të gjithëve, jo i disave, as i mazhorancës, as i opozitës “

“Dhe unë besoj që të gjithë të reflektojnë dhe të punojnë për të ndërtuar ura dialogu, komunikimi, dhe unë edhe si Kryetar i Kuvendit do të bëj çdo gjë dhe jam i hapur për të dhënë këtë kontribut, ta pastrojmë një herë e mirë këtë histori. Dhe padyshim që të vazhdojmë zbatimin e reformës në drejtësi. sepse kjo është themelore për sundimin e ligjit në vendin tonë dhe në këtë drejtim të dyja janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, sepse kanë të bëjnë me kredibilitetin e institucioneve dhe shtetin e së drejtës së vendit tonë”, theksoi ai.