Mijëra eurot e Komunës së Prishtinës të djegura nën dhe (Foto)

28.01.2017 18:34:36

Në vitin 2013, mbi 200 mijë euro i ka kushtuar Komunës së Prishtinës ndërtimi i 12 pika të kontejnerëve nëntokësor në disa lokacione. Pas përfundimit të projektit, ato nuk u funksionalizuan. Patën defekte serioze me makinerinë që do t’i nxjerrte mbeturinat nga gropa.

Mijëra euro u shpenzuan edhe në përpjekjen që të adaptohen disa kamionë që do t’i bënin funksional kontejnerët modern, as kjo nuk funksionoi. Që të harrohet ‘meseleja’ e tyre, sipër kontejnerëve nëntokësor tash janë vendosur ata mbitokësorë.

Zbrazjen e mbeturinave nga kontejnerët në Prishtinë, sikurse edhe në disa Komuna tjera e bën kompania “Pastrimi”.

Drejtori i kësaj kompanie Regjionale, Feim Salihu ka thënë se kanë rrezikuar edhe punëtorët në përpjekje për t’i vënë në funksion kontejnerët, por ka qenë e pa mundur, shkruan lajmi.net.

”Fillimisht, patëm kërkuar që të bëhet një rishikim nëse ata kontejnerë janë funksional. Gjatë operimit tonë , janë rreth 20 deri në 30 mijë euro defekte që i kemi krijuar duke u munduar që të operojmë me atë projekt. Pra, nuk kemi mundur të gjejmë kurrfarë zgjidhje. Duket që ato nyjet sanitare që duhet të lidhen nuk janë në rregull, platformat nuk janë të balancuar mirë që të ngritën në dhjetë metra. Pra, pompat që janë për ngritje dukët që nuk janë të mira, i kemi salduar 100 herë prapë nuk bëjnë”, ka thënë Feim Salihu, kryeshef në Kompaninë Regjionale “Pastrimi”.

Kontejnerët janë ndërtuar nën udhëheqjen e kryetarit Isa Mustafa, ndërkaq, kryeshefi i “Pastrimi”-it, thotë se me administratën aktuale nuk kanë komunikuar asgjë rreth tyre.

“Komuna i ka vendos vetë ata kontejner, është rropatur të bëjë diçka, po s’ka bërë asgjë, bile nuk na kanë paguar asnjë centë për defektet që na janë krijuar. Rreth kësaj çështje Komuna nuk ka pasur kurrfarë konsulte me ne, disi ata jetojnë si në Mars. Nuk kamë ide se çka do të bëhet me ta. Kamë dhënë urdhër që ata të mbyllen, dhe skaj tyre të vendosen kontejnerët mbitokësor për operim. Po të lihen ashtu, veç dukët një ambient i çoroditur, disa nga ta kemi hequr shumë keq që ti ulim poshtë. Nëse, komuna i funksionalizon ndonjëherë edhe ne punojmë me ta”, tha Salihu.

Pos, shpenzimeve që ka bërë kompania “Pastrimi”, siç thotë drejtori Salihu rreth 30 mijë euro që kontejnerët të bëhen funksional, edhe administrata aktuale ka shpenzuar mijëra euro për ta.

Në vitit 2015, nëpërmjet një tenderi ishin adaptuar katër kamionë. Tenderi është quajtur “Adaptimi i kamionëve për grumbullimin e mbeturinave dhe furnizimi me traktor dhe pajisje përcjellëse – pjesa e II-të”.. Vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 27,950.00 euro. Por, këta kamionë kanë kryer punë vetëm disa ditë.

Madje, pas rregullimit të tyre, kryetari Shpend Ahmeti nuk kishte hezituar që ta sulmonte ish udhëheqjen komunale dhe të lavdëronte punën e tij, e cila nuk i funksionoi gjatë.

Shpend Ahmeti kishte shkruar në facebook se, qeverisja e LDK-së në kryeqytet kur kishte filluar këtë projekt nuk kishte bërë planifikim e mbledhjes së bërllokut. “Në fushatën e vitit 2013 qeverisja e atëhershme komunale hapi disa gropa nëpër qytet shpejtë për kontejnerë nëntokësorë. Por nuk ishte menduar mbledhja e mbeturinave sepse komuna nuk kishte as kamionë për ta”, kishte shkruar Ahmeti.

Pas këtij ekzaltimi, Komuna kishte bërë njoftim për dhënie të kontratës ‘Rregullimi i vendeve te kontejnerëve nëntokësore dhe furnizimi me kontejner’. Vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 222,222.00  euro, por kontrata nuk ishte nënshkruar me kompaninë fituese “Taifor”.

Pronari i kompanisë “Toifor”, Enver Zymberi tha lajmi.net se në vitin 2015 ka qenë fitues i atij tenderi, por se, nuk ka nënshkruar kontratë me komunën. “Ne e patëm fituar tenderin, por më pas qe ankuar një kompani në OSHP, dhe ishte anuluar, me sa di, Komuna nuk pat shfaqur interesim që të procedojë me këtë projekteve”, tha Zymberi.

Por, Komuna nuk ka hequr dorë nga iniciativa për kontejner nëntokësor për ndërtimin e tyre edhe në disa lokacione. Para pakë ditëve Zyra e prokurimit të Komunës e ka anuluar tenderin ‘Rregullimi i kontejnerëve nëntokësor dhe furnizimi me kontinier të rinj’. Ndërkaq, në vitin e kaluar ky tender është kthyer tri herë në rivlerësim nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit.