MINATORI QË DHUROI MBI 50 LITRA GJAK

09.01.2018 13:47:08

Minatori 63 vjeçar nga fshati Tërstenë i Mitrovicës, Bilall Neziri, baba i 5 fëmijëve i cili jeton në Mitrovicë, ka bërë shumë herë punë fisnike gjatë jetës së tij, duke dhënë një pjesë të vetes për shëndetin e tjetërkujt dhe duke shpëtuar jetë.

Ai me grupin e tij Rh pozitiv, ka dhuruar gjak 148 herë deri tash, ose më shumë se 50 litra, duke u bërë kështu kampion i Kosovës në këtë gjest human, ndërsa edhe ditën kur u vizitua nga KosovaPress, ishte nisur në spitalin e Mitrovicës për një gjë të tillë.

Neziri i cili që nga viti 1972 kishte punuar si minator për shtatë vite rresht, ndërsa aktualisht punon në kuzhinën e minierës me flotacion në Stantërg, ka bërë të ditur se dhurimin e gjakut e ka filluar që nga viti 1971, në kohën kur ishte nxënës i shkollës së mesme.

Neziri: Gjak kam dhënë për herë të parë më 1971 pas një aksidenti në Mitrovicë

“Gjak kam dhënë për herë të parë më 1971. Ka qenë një aksident në Mitrovicë. Isha në shkollën ekonomike në Zveçan…Pas tre muajve pala na ka thirrë në drekë dhe prej atëherë më ka lindur idea për me dhënë gjak… Deri më sot kam dhënë gjak 148 herë…Unë nuk kam llogaritur, por janë afërsisht mbi 50 litra gjak që kam dhënë”, ka thënë Neziri.

Sipas tij, ai ka dhuruar gjak nëpër shumë qytete të Kosovës dhe më gjerë, si në Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, Beograd e deri në Shibenik të Kroacisë, në rastet kur minatorët e aksidentuar ishin të shtrirë nëpër këto spitale dhe jeta e tyre ishte në rrezik.

Mirëpo, vazhdoi Neziri, ai nuk ka ndihmuar vetëm minatorët që i kishte kolegë, por të gjithë ata që kanë pasur nevojë, si të aksidentuarit, lehonat, fëmijët, pleqtë dhe të tjerët, ndërsa thotë se kurrë nuk ka kthyer prapa asnjë person që ka pasur nevojë për gjak.

Neziri: Asnjëherë nuk kam refuzuar askënd

“Kam dhënë gjak nëpër qytetet e ish Jugosllavisë, në Slloveni, Beograd, Shkup, Prishtinë, në të gjitha transfuzionet e gjakut në Kosovë, sepse në atë kohë në minierën e Stantërgut kemi pasur minatorë të lënduar të cilët janë dërguar në Shkup… Kam dhënë në Beograd poashtu për minatorët e Stantërgut, Slloveni, në Mitrovicë e Prishtinë, për çka ekzistojnë të gjitha faktet… Prej vitit 1971 asnjëherë nuk kam refuzuar askënd…Shumë raste kam kur nënat gjatë shtatzanisë kanë pasur nevojë nëpër reparte të gjinekologjisë, pastaj raste për fëmijë, nëna, shumë raste për aksidente… Falënderoj Allahun që ma ka mundësuar t’ju ndihmoj të sëmurëve dhe të shpëtojë jetë”, tha Neziri.