Ministri Abrashi lanson projektin për subvencionim punësimi “dil nga sociali”

12.11.2016 11:58:24

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka lansuar projektin më të ri të ministrisë që drejton. Bëhet fjalë për projektin “dil prej socialit” që ka të bëjë me subvencionim punësimi për shfrytëzues të ndihmës sociale, sipas të cilit të gjithë atyre që heqin dorë nga kjo ndihmë t’u ofrohet kontratë pune me kohëzgjatje një vit dhe me mundësi vazhdimi. Ministria merr përsipër të subvencionojë 120 – 130 euro, dhe edhe nëse biznesi paguan po aq, atëherë i bie që kjo shumë të dyfishohet. Pra, thelbi i projektit është që nëpërmjet këtij subvencionimi të stimulohet largimi i shfrytëzuesve të ndihmës sociale nga sociali dhe stimulimi i biznesit për të punësuar sa më shumë njerëz. Fillimisht ky projekt do të përfshijë 500 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Ky është postimi i plotë i ministrit Abrashi:

“dil prej socialit”

Ketë javë filluam projektin që parasheh që 500 punëkërkues, shfrytëzues të asistencës sociale, të angazhohen në punësim përmes programit të subvencionimit të pagave, në periudhë subvencionimi 12 mujor (me mundësi vazhdimi).

Me fjalë tjera, ne do të subvencionojmë punësimin me rreth 120-130 euro, për cdo përfitues të asistencës sociale, nëse pranon një kontratë punë një vjecare (me mundësi vazhdimi), dhe heq dorë nga asistenca sociale. Nëse edhe biznesi i ofron të njëjtën shumë, atëherë po flasim për të hyra solide prej 250-300 euro për një punëmarrës.

Pra idea është që fondet pasive t’i kthejmë në fonde aktive, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, në mënyrë që të ulim inaktivitetin dhe të zvoglojmë papunësisë.

Do ta fillojmë me 500 përfitues, dhe varësisht nga suksesi e rrisim edhe numrin. Paraprakisht, sipas kërkesave të komunitetit të biznesit këta do të përfshihen në trajnim intenziv.

Ftoj gjitha bizneset e interesuara të vizitojnë zyret e punësimit për informata shtesë.”