Ministri Beqaj: Kosova vend atraktiv dhe me potencial për investitorët e huaj

20.02.2018 13:08:52
Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur që Ministri i këtij dikasteri, Besim Beqaj, është duke marrë pjesë në “Forumin Botëror për Investime të Bizneseve Engjëj” i cili po mbahet në Stamboll të Turqisë, me qëllim të fuqizimit të zhvillimit ekonomik.

 

Ministri Beqaj si folës në panelin kryesor të këtij forumi ka folur me temën “Financimi  i Inovacionit përmes ndikimit të investimeve në Evropën Juglindore. Në fjalën e tij ministri Beqaj ka theksuar përparësitë dhe potencialin e Kosovës për tërheqjen e investimeve nga bizneset engjëj. “Kosova është vend atraktiv dhe me potencial të madh për investime nga investitorët e huaj”, tha ministri Beqaj.

Po ashtu Ministri prezantoi para të pranishmëve të arriturat dhe sukseset e Qeverisë së Kosovës, komunitetit të biznesit dhe organizatave të ndryshme që kanë dhënë rezultate, duke ndikuar në zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë. Ministri Besim Beqaj ka folur edhe për angazhimin dhe përkushtimin e tij në udhëheqje të Ministrisë së Inovacoonit dhe Ndërmarrësisë për mbështetje të ndërmarrësve të rinj dhe lehtësirave që do tu ofrohen inovatorëve në financimin dhe zhvillimin e ideve innovative.

“Forumi Botëror për Investime të Bizneseve Engjëj“ po mbahet në Stamboll. Qëllimi i këtij Forumi vjetor është mobilizimi i sektorit publik dhe privat për të investuar me kapital të përbashkët për të mirën e përgjithshme shoqërore.” bëhet e ditur në këtë komunikatë