Ministri Bushati: Takimi Merkel – Rama konfirmoi progresin e reformave

28.11.2016 18:21:09

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e ka cilësuar pozitiv takimin në Berlin mes Kancelares Angela Merkel dhe Kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, ky takim tregoi se Qeveria Rama ka bërë progres me zbatimin e reformave dhe duhet të nisë zbatimi i ligjit të Vetingut për reformën në drejtësi.

Sa i përket ligjit të Dekriminalizimit, për të cilin Kancelarja Merkel kërkoi që të japë rezultate konkrete, ministri i Jashtëm nuk e përmend fare.

“Takimi në Berlin mes Kancelares Angela Merkel dhe Kryeministrit Edi Rama konfirmoi progresin e qenësishëm që ka bërë vendi ynë në rrugën e vështirë të reformave demokratizuese dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Siç konfirmon Raporti i Komisionit Europian shoqëruar me rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, zbatimi i menjëhershëm i ligjit të vettingut mbetet thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë që puna e nisur me përmbushjen e 5prioriteteve kyçe dhe prirja pozitive e tre viteve të fundit konfirmuar në vlerësimet e Komisionit Europian duhet të vijojë me ritëm të pandërprerë. Tanimë shpresoj që për këdo të jetë e qartë ecuria, metodologjia, kriteret, pritshmëritë dhe kushtëzimet demokratike të këtij procesi, përfshirë edhe Partinë Demokratike. E cila mund ta dëshmojë mbështetjen e kontributin për këtë proces përmes veprimesh konkrete e jo fjalësh boshe.

Duke ndaluar fletë-rrufetë që ushqejnë lloj lloj të pavërtetash nëpër kryeqytetet kryesore të Europës. Duke zhbllokuar ligjin e vettingut. Duke u përfshirë në një proces të njëmendtë për zbatimin e arkitekturës së re në drejtësi. Duke mos u bërë njësh kësisoj me sindikatën e drejtësisë. Ky moment është gjithashtu test për pjekurinë tonë politike. Për të ndarë një herë e mirë interesin meskin nga objektivi kombëtar dhe aspirata e përbashkët europiane”, shkruan në Facebook ministri Ditmir Bushati.