Ministri gjerman kundër vaksinimit me detyrim, del me mesazhin e fuqishëm: Kjo nuk do të ndodhë!

21.11.2021 12:10:52

Pasi Austria, deklaroi detyrimin për vaksinim ndaj koronavirusit, politikanët gjermanë të koalicionit të ardhshëm qeverisës (socialdemokrat, ekologjistë, liberal-demokrat) e përjashtojnë një rregull të tillë për Gjermaninë.

“Kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk e konsiderojmë të nevojshme, sepse mendojmë që kjo është e vështirë edhe në aspketin e së drejtës kushtetuese”, tha për kanalin “Bild live” socialdemokrati Heiko Maas, ministër i Jashtëm.

Politikania liberal-demokrate përgjegjëse për çështje të shëndetësisë Christine Aschenberg-Dugnus e kritikoi kryeministrin e Bavarisë Markus Söder, i cili u shpreh hapur për detyrimin për vaksinim. “Askujt nuk i ndihmon përdorimi si kërcënim me një detyrim të përgjithshëm për vaksinim”, tha ajo për gazetën “Bild”-Zeitung. “Pikërisht landet me shifra dramatike të infeksioneve me Corona duhet të përqendrohen, ashtu sikurse është rënë dakord, që të zgjerojnë ofertën për vaksinim dhe të zbatojnë masat e reja ndaj koronavirusit.”

Në Austri të hënën vendosen sërish masat e izolimit, që prekin edhe të vaksinuarit dhe rregullorja do të jetë në fuqi për maksimumi 20 ditë. Ndërsa në shkurt të gjithë qytetarët nga një moshë e caktuar duhet vaksinohen plotësisht ndaj koronavirusit, në rast të kundërt ata do të gjobiten. Austria është vendi i parë i BE-së që në sfondin e valës aktuale të infeksionit ndërmerr masa të tilla të rrepta. Incidenca shtatë ditore e infeksioneve për 100.000 banorë të premten në Austri ishte mbi 1000.