Ministri Hyseni priti në takim Zëvendës-ndihmësin e Sekretarit të SHBA-ve Alexander Arvizu

05.04.2017 16:59:46

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, ka pritur në takim Zëvendës- ndihmësin e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve z. Alexander Arvizu.Në këtë takim u bisedua lidhur me bashkëpunimin midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në projekte konkrete.

Ministri Hyseni e njoftoi z. Arvizu për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe vlerësoi se gjendja e përgjithshme është e mirë. Në veçanti e njoftoi atë me të arriturat e Kosovës në luftimin e trafikimit me narkotikë dhe përdorimit të paligjshëm të lëndëve narkotike.

Ai po ashtu e njoftoi për përpjekjet që po bëhen në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

Ministri Skender Hyseni falënderoi SHBA-të për përkrahjen e vazhdueshme që po ia bëjnë Republikës së Kosovës në avancimin e institucioneve të sigurisë dhe në nismat e shtetit tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Ndërsa z. Arvizu mbështet punën që po bëjnë institucionet e Republikë së Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ofroi përkrahjen e SHBA-ve në projekte konkrete në mbështetje të Qeverisë së Kosovës.