Ministri i Arsimit, Bajrami: Është duke u punuar në Kontratën e re Kolektive

05.10.2016 14:04:36

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në konferencën “Duke çmuar mësuesit, përmirësojmë statusin e tyre”, e cila është organizuar nga SBAShK-u për nder të Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit, ministri Bajrami, uroi të gjithë mësuesit e Kosovës për këtë ditë, të cilën e vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme edhe për vetëdijesimin e përgjithshëm për rolin që ka sektori i edukimit, në mënyrë të veçantë mësuesit, në rendet bashkëkohore.

“Nuk ka dyshim që përkujdesja ndaj mësimdhënësve është përkujdesje ndaj familjeve, ndaj shoqërisë dhe ndaj shtetit, sepse nuk ka gjë më të shenjtë për një shtet se sa të investojë në sektorin e arsimit dhe te mësimdhënësit, të cilët kanë një rol shumëdimensional: të edukojnë rininë, të mundësojnë ndërtimin e personalitetit dhe të shënojnë përparime në sektorin e edukimit”, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami përmendi edhe kontributin e madh të themeluesve të SBAShK-ut dhe të mësimdhënësve në kohë të vështira për vendin. “Pikërisht sektori i edukimit ishte sektori më i rëndësishëm ku ne treguam gatishmërinë e mbijetesës”.

Duke folur për kujdesin që duhet të kenë institucionet dhe shoqëria në përgjithësi ndaj mësimdhënësve, ministri Bajrami tha se është duke u punuar në Kontratën e re Kolektive, ndërsa tha se angazhimi kryesor i këtyre ditëve do të jetë finalizimi i Ligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Nait Hasani, theksoi se është dashur një kohë e gjatë, mund dhe sakrificë për të ardhur deri në ditën e sotme që të kemi një arsim të mirë.

“Por, ende kemi nevojë të punojmë të gjithë më shumë në ngritjen e cilësisë, sepse vetëm kështu mund të kemi një shtet më të zhvilluar”.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari ka përshëndetur të gjithë mësimdhënësit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit dhe ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit që edhe në vitet më të vështira dhanë krejt çka mundën për mbajtjen gjallë të arsimit shqip.