Ministri i Drejtësisë reagon për prokurorin që mori 18 mijë euro

28.09.2016 22:45:08

Edhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani reagoi për video-denoncimin në emisionin “Stop” ku një prokuror merr 18 mijë euro ryshfet për një çështje, nëpërmjet një oficeri gjyqësor i cili në këtë rast është sekseri.

Në një reagim për ngjarjen, ministri thotë se nxit një hetim të plotë të prokurorisë mbi këtë çështje.

“Ngjarje e transmetuar në emision është e dënueshme. Veprimi energjik i ligjit është domosdoshmëri. Prokuroria është hallkë e rëndësishme e rikthimit të besimit te publikut tek ligji. Përgëzime medias!”, shtoi ministri.

Prokurori i denoncuar nga qytetari është Ardian Braho, i cili pas video-skandalit u pezullua nga kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa Fatos Lushi, oficer i policisë gjyqësore që mori lekët për llogari të prokurorit është shpallur në kërkim.