Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kosova është e përkushtuar për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale

15.12.2021 15:58:29

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot mori pjesë në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC), ku theksoi se Kosova është plotësisht e përkushtuar për të demonstruar solidaritetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale

Temat e kësaj konference ishin “Çështja e kredibilitetit: Nxitja e partneritetit të ngushtë si mënyrë për të avancuar Integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor” dhe “Akordimi i duhur në orientimin strategjik drejt BE-së”.

Në fjalën e tij, gjatë sesionit të parë përmes video-lidhjes, ministri Mehaj theksoi angazhimin dhe të arriturat e Republikës së Kosovës në menaxhimin e sfidave të sigurisë rajonale siç ishte pandemia me COVID-19, si dhe vizionit shtetëror për ofrimin e kontributit në parandalimin, reagimin dhe menaxhimin e sfidave tjera që cenojnë mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë.

“Republika e Kosovës me ndihmën dhe mbështetjen e vendeve mike, është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo është arsyeja pse, përkundër propagandës së ashpër anti-perëndimore dhe dezinformatave, Kosova është ende vendi më pro-NATO-s dhe BE-së në rajon. Kjo është arsyeja pse Kosova sot është plotësisht e përkushtuar për të demonstruar solidaritetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale”, tha Mehaj.

Gjithashtu, ministri Mehaj theksoi edhe angazhimin e tij në zbatimin e konceptit “Smart Defense” në bashkëpunim me homologët e tij rajonalë, si formë shumë e suksesshme dhe racionale për reagim dhe menaxhim të krizave që mund të cenojnë sigurinë e vendeve dhe qytetarëve të rajonit.

Në konferencën e sotme, të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Mario Banozic, morën pjesë ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të CEDC si: Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia dhe Kroacia, vendet me status të vëzhguesit si Polonia si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.