Ministri Ismaili fton mjekët nga Kroacia, në Kosovë specializantët protestojnë për paga!

26.02.2018 19:51:06

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë vizitës së tij zyrtare në Zagreb, ka takuar mjekët shqiptarë,të cilët jetojnë dhe punojnë në Kroaci.

Ismaili përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka treguar se mjekët shqiptarë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të kontribuar në Kosovë dhe se këtë sipas Ismailit pritet ta bëjnë së shpejti.

“Në Zagreb takova mjekët shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në Kroaci. Të gatshëm dhe të motivuar për të dhënë kontributin e tyre edhe për shëndetësinë kosovare, shkëmbyem idetë se cilat janë format më të mira për ta bërë këtë. Ata patën propozime dhe iniciativa shumë interesante. Bashkë u ndamë me një përshëndetje që së shpejti të shihemi në Kosovë”, ka shkruar Ismaili.

Përndryshe, sot para institucionit që e drejton Uran Ismaili kanë protestuar specializantët volunter të mjekësisë, duke kërkuar paga për punën e tyre. Ata madje i kanë kërkuar të parit të shëndetësisë në vend që t’ua kthej dinjitetin specializantëve dhe mos t’i detyroj të emigrojnë jashtë vendit.

Sipas tyre, ka qenë vet ministri Ismaili dhe shefi i partisë së tij, Kadri Veseli, që u kanë premtuar se nga 1 janari i këtij viti asnjë specializant nuk do të mbetet pa pagë. Për vonesë të pagave nga Ministria e Shëndetësisë janë ankuar edhe një kategori tjetër e specializantëve, ata të performancës, që kanë kontratë me këtë dikaster qeveritar, duke thënë se që nga nëntori i vitit të kaluar nuk kanë marrë paga.

Madje siç kanë thënë disa prej tyre po e shqyrtojnë mundësinë që t’i bashkëngjiten protestave të specializantëve volunte. Përndryshe, thuhet se 400 mjekë kanë ikur viteve të fundit nga Kosova dhe janë punësuar në Gjermani, në mungesë të perspektivës në vend.