Ministria e Drejtësisë jep detaje për marrëveshjen me Danimarkën për të burgosurit: Kosova përfiton 210 milionë euro

16.12.2021 15:53:44

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar.

“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishm”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.

“Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se për këtë marrëveshje ishte biseduar qysh nga qeveria e kaluar.

Por sipas saj meqenëse nuk ishin respektuar procedurat e Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare, kishte marrë vendim që të kthehet e gjithë çështja në pikën zero, dhe tani kanë arritur një marrëveshje në parim rreth këtyre qelive.

Haxhiu po ashtu njoftoi se në Kosovë për këtë çështje të hënën do të vijë në Kosovë, ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup.

“Në momentin kur kam pranuar detyrën si ministre e Drejtësisë jam njoftuar për një punë pothuajse të përfunduar të kabinetit të kaluar qeveritar, gjegjësisht të qeverisë së kaluar që kishte të bënte me shfrytëzimin e qendre korrektuese në Republikën e Kosovës si kërkesë e MD-së daneze.

Qëllimi ishte që 300 vende në një prej qendrave korrektuese të Republikës së Kosovës të shfrytëzohen nga Danimarka dhe për faktin se asokohe nuk ishin respektuar procedurat, gjegjësisht sipas Ligjit për Marrëveshjen Ndërkombëtare sepse kjo është marrëveshje ndërkombëtare dhe ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Andaj, unë kam kërkuar që të ndiqen procedurat sikurse parasheh edhe ligji, prandaj e kemi rikthyer situatën në pikën zero, mirëpo negociatat kanë vazhduar tani është arritur një marrëveshje në parim ndonëse ende nuk ka asgjë të nënshkruar.

Unë e pres që ministri danez të vijë në Kosovë të hënën, pra do bëjmë një takim në Prishtinë, do të vizitojmë këtë qendër korrektuese… Është fjala për Qendrën Korrektuese në Gjilan”, u shpreh ajo.

Ministrja e Drejtësisë po ashtu tregoi se për të burgosurit që do vijnë në këto 300 qeli do të vlejnë ligjet që janë të aplikueshme në Danimarkë, ndërsa theksoi se të burgosurit nuk janë persona që kanë kryer vepra për terrorizëm apo që kanë probleme mendore.

Ajo theksoi se menaxhimi i qendrës korrektuese do bëhet nga danezët, kurse mirëqenia dhe siguria e tyre do të menaxhohet nga oficerët korrektues të Kosovës.