Ministria e Drejtësisë me kërkesë për hetimin e deklaratave të Tomë Gashit dhe pretendimeve të mjekoligjorëve nga Shqipëria

20.12.2016 13:20:17

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për ta sqaruar opinionin publik dhe verifikuar pretendimet e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar që të hetohen deklaratat e avokatit Tomë Gashi, si dhe të dy mjekoligjorëve nga Shqipëria.

Telegrafi e ka parë letrën që i është dërguar kryeprokurorit Aleksandër Lumezi nga ministrja Dhurata Hoxha, e cila mban datën e sotme 20 dhjetor 2016, për hetimin e raporteve të personave jokompetent, siç thuhet në këtë shkresë, që dalin përtej autorizimeve ligjore dhe që janë në kundërshtim edhe me kodin penal.

Konkretisht, në këtë shkresë kërkohen hetime për deklaratat e avokatit Tomë Gashi dhe raportin personal të mjekoligjorit nga Shqipëria, Besim Ymaj dhe pedologut Besim Latifaj.

Kjo është përmbajtja e letrës dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, nga ministrja Dhurata Hoxha:

“I nderuar z. Kryeprokuror,

Fillimisht më lejoni të shpreh konsideratë për Juve dhe punën Tuaj.

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të deklarimeve, por edhe publikimit të raporteve të cilat i referohen humbjes së jetës së Astrit Deharit, ish i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Publikimi i raporteve të tilla nga ana e personave jo kompetent dhe atyre që dalin përtej autorizimeve ligjore, sipas pikëpamjes sonë, konsiderojmë se bien ndesh me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe për më tepër janë edhe në kundërshtim me dispozita të caktuara të kodit penal, që i referohen detyrës zyrtare, përkatësisht keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke hartuar dhe më pas edhe publikuar raporte të tilla, e duke mos qenë të autorizuar paraprakisht për një gjë të tillë.

Andaj mbi këtë bazë dhe në pajtim me autorizimet tuaja ligjore, si dhe me mirëkuptim, nga ju kërkojmë autorizimin e fillimit të hetimeve për: z. Tomë Gashi, avokat, z. Besim Ymaj, ekspert i mjekësisë ligjore nga Shqipëria, si dhe Besim Latifaj, pedolog.

Hetimet e tilla të bëhen para së gjithash për qellim të qartësimit të opinionit publik dhe transparencës së plotë në lidhje me këtë rast, si dhe verifikimit të pretendimeve se i ndjeri Dehari është vrarë”, thuhet në këtë letër