Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) përgenjeshtron lajmet e mediave serbe

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) përgenjeshtron lajmet e mediave serbe

06.05.2017 14:17:50

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Republikës së Kosovës përgënjeshtron shkrimet e ditëve të fundit publikuar në mediet serbe për, gjoja, futjen e grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni.

MPJ-ja, mbështetur në informatat e siguruara nga institucionet e sigurisë, informon se shkrimet e disa ditëve të fundit janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe tendencioze, që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit. Ato janë pjesë e një fushate të lajmeve të rrejshme që kanë për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës. “Çdo tentativë, e kujdoqoftë, për ta paraqitur Kosovën si gjenerator të destabilitetit dhe pasigurisë, është tendencioze dhe me prapavijë për të realizuar agjendat të cilat kanë për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e proceseve euroatlantike për të cilat Kosova dhe qytetarët e saj janë të orientuar.

Këto tendenca, për ta prezantuar Kosovën vend jo stabil dhe të pasigurt, kanë për qëllim krijimin e një pamje negative për shtetin tonë jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe përpjekje për t’i goditur interesat vitale sikurse janë zhvillimi ekonomik, investimet e huaja, partneriteti rajonal, njohjet e reja dhe karakterin demokratik dhe shumetnik të Kosovës”, është thënë në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dërguar medieve.

Ndër të tjera, MPJ thotë se i siguron qytetarët dhe partnerët e saj se Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë vazhdimisht janë aktive me masa dhe veprime konkrete në tërë territorin e vendit me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të garantimin e stabilitetit të vendit. “Falë këtyre angazhimeve dhe profesionalizmit të treguar të institucioneve të sigurisë ndër vite, sot Kosova nuk është vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit, por edhe një aktor i përfshirë rajonal dhe ndërkombëtar. Krahas shumë aktiviteteve operative, Policia e Kosovës në kuadër të procesit të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, ka një bashkëpunim të shkëlqyer ditor me autoritetet përgjegjëse të Maqedonisë përgjatë brezit kufitar dhe realizon takime të rregullta edhe me praninë e trupave të KFOR-it. Si rrjedhojë, asnjëherë nuk janë ngritur shqetësime të tilla përkitazi me shkrimet e rrejshme të medieve serbe pas të cilave qëndron politika zyrtare e shtetit serb”, është bërë me dije në komunikatë e MPJ-së.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë të përkushtuara për përmbushjen e misionit të tyre për siguri dhe stabilitet në Kosovë, si dhe janë në partneritet të vazhdueshëm me shtetet e rajonit e më gjerë për adresimin e rreziqeve të mundshme në Kosovë apo në rajon.