Ministrja Bajrami për ligjin për investime strategjike: Ligji i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë

11.10.2016 17:49:23

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mbajti konferencë për gazetarë, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Investime Strategjike.
Ministrja Bajrami tha se ky Ligj i ka munguar për një kohë të gjatë legjislacionit të Kosovës dhe se ai ofron kushte të barabarta në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj në krahasim me vendet fqinje dhe ato të rajonit.
Ministrja Bajrami i ka falënderuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të kryeministrit Isa Mustafa, të gjithë deputetët që votuan për këtë Ligj, duke thënë se të gjitha vendet fqinje dhe disa anëtare të Bashkimit Evropian negociojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për dhënin e aseteve në shfrytëzim në këmbim të investimeve, për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Ligji i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë. Faktikisht, këtu rritet transparenca për dhënien e aseteve në shfrytëzim, për shkak se janë dy mundësi, njëra është që Qeveria të përgatisë një listë të projekteve, me të cilat ajo mund t’iu qaset investitorëve dhe kompanive serioze. Qasja ose opsioni tjetër të cilin e ofron Ligji është që investitorët e ndryshëm të cilët mund të jenë të interesuar për asete që janë në pronësi komunale, qoftë shtetërore, qoftë shoqërore, mund t’i qasen Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë që të bëjnë investime në këto asete”, tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë.
Sa i përket rritjes së transparencës, ministrja Bajrami theksoi se janë paraparë disa hapa të kalimit të negociatave dhe dhënies së aseteve në shfrytëzim.
“Fillimisht aplikacionet ose kërkesat e investitorëve shkojnë tek Agjencioni për Promovim të Investimeve dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve KIESA, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila sipas ligjit parashikohet që të ketë një ekip të ekspertëve për të trajtuar këto aplikacione. Më pas, në qoftë se aplikacioni, në këtë rast kompania, i përmbush kushtet për të hapur negociata të drejtpërdrejta, ata këtë ia rekomandojnë grupit ndërministror që përbëhet nga pesë ministri dhe kryetari i komunës, në të cilën potencialisht do të zhvillohet investimi. Në qoftë se grupi ndërministror e vlerëson si projekt të vlefshëm, atëherë këtë ia propozon Qeverisë. Me aprovimin e Qeverisë një kërkesë e tillë i kalon Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili pastaj mund të kërkoj nga Agjencioni i Privatizimit kalimin e këtyre aseteve tek Qeveria për dhënien në shfrytëzim”, tha ministrja.
Më tej, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u shpreh se me Ligj janë adresuar të gjitha çështjet të cilat kanë qenë preokupim edhe i organizatave jo qeveritare dhe i spektrit ndërkombëtar.
“Gjithashtu, edhe deputetët kanë punuar në versionin e fundit dhe janë harmonizuar të gjitha ato qëndrime që më parë kanë qenë të pa harmonizuara”, tha ministrja Bajrami.