Temë e diskutimit ishin prioritetet dhe politikat e MTI-së për këtë vit si dhe diskutimi mbi realizimin e planeve për dy vitet e kaluara.
Duke prezantuar të arriturat e MTI-së, Ministrja Bajrami tha se gjatë kësaj periudhe janë fokusuar në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, promovimin e klimës së investimeve në Kosovë dhe përmirësimin e saj si dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe rregullimin e tregut, duke qenë përgjegjës për politikat tregtare dhe politikat industriale në përgjithësi.
“Që nga fillimi i mandatit dhe me mbështetjen e madhe të kryeministrit, Qeveria Mustafa ka pasur në fokus agjendën e zhvillimit ekonomik”, tha ministrja Bajrami, duke shtuar se janë marrë shumë seriozisht me klimën e investimeve në Kosovë dhe ambientin e biznesit në përgjithësi duke u shprehur e sigurt që deri në një masë kjo është arritur.
Ministrja Bajrami theksoi se deri më tani janë miratuar në kuadër të Ministrisë 10 ligje dhe 32 akte nënligjore, duke bërë të ditur se janë 22 udhëzime administrative dhe 9 rregullore dhe një Ligj të veçantë i cili nuk ka ekzistuar më herët, siç është Ligji për Investime Strategjike.
Ministrja Bajrami, po ashtu, tha se është punuar shumë edhe në kuadër të KIESA-s.
“Kemi organizuar shumë tryeza me komunitetin e bizneseve për të parë se ku ata i kanë pengesat e tyre. Vetëm në vitin e kaluar kemi organizuar 17 panaire. Janë diku 178 kompani të cilat kanë marrë pjesë në këto panaire me ekspozimin e 1200 produkteve”, tha ministrja e MTI-së.
Ministrja Hykmete Bajrami theksoi po ashtu se janë organizuar edhe disa forume ekonomike, si Forumi Ekonomik në Londër i cili ka qenë shumë i suksesshëm, duke bërë të ditur se një i tillë do të zhvillohet edhe në Prishtinë, ku kompanitë të cilat janë të interesuara do të vijnë dhe do të njoftohen me projektet konkrete që do të prezantohen.
Ndërkaq, duke folur edhe për Trepçën, ministrja Bajrami ka vlerësuar se shumë më mirë do të ishte sikur të kishte edhe investim privat, ndërsa sa i përket Projektit të Brezovicës bëri të ditur se janë duke punuar në një skenar të ri.







































