Mirëmëngjes marrëzi!

08.09.2018 14:34:49

Nga: Melihate Tërmkolli

“Nëse Presidenti serb viziton Ujmanin pa lejen e Kosovës, ai do të arrestohet”, tha para dy ditësh Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i PDK-së.
Por u lejua vizita e Presidentit të Serbisë, dhe ai sot viziton edhe Ujmanin (Gazivoda) dhe nesër mespërmes Drenicës, shkon deri në fshatin Banjë, në zemër të saj, në Drenicën e Adem Jasharit si në shtëpi “të vet”, (ҁfarë trishtimi!).
Lejimi i Presidentit të Serbisë për ta vizituar Ujmanin u bë me arësyetimin se miqtë paskan sygjeruar të lejohet ajo vizitë “në mënyrë që të mos ngriten tensione ndërmjet dy shteteve”. Përkthyer në shqip kjo d.m.th. të mos shqetësohet e të mos tensionohet Serbia, Vuҁiqi!
Po Kosova, ku është Kosova! A po ajo nuk ka pse tensionohet nga kjo vizitë, pse të shqetësohet për Ujmanin, edhe ashtu ka vënë në pazar gjithҁka, edhe tokat edhe ujin!
Këta “trimat’ e Kosovës, ia japin Vuҁiqit krejt Kosovën, veq të mos shqetësohet Serbia, “të mos ngriten tensione”. Këta i poshtërojnë të gjithë shqiptarët, e poshtërojnë shtetin tonë!
Barbarët gjithnjë kthehen në vendin e krimit, për krime të reja!
Ata që nuk janë dënuar për krimet e djeshme, për gjenocidin, ata që nuk kanë marrë mundin të bëjnë madje as një kërkim falje për plojën kundër shqiptarëve e Kosovës, veҁ një qëllim kanë: përsëritjen e krimit, vazhdimin e tij.
P.S.
Mbase kam dëgjuar gabim por Presidenti Thaҁi, paska bërë plan t’ia kthejë vizitën Aleksandrit, paska vendosur që këto ditë ta vizitojë Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, të ndalet për vizitë në nyjën hekurudhore në kufi me Maqedoninë dhe të vazhdojë në Vranjë, Kushumli, Toplicë e deri në Nish, toka shqiptare, autoktone, të grabitura nga Serbia.
Të shohim ҁfarë mesazhi na sjell nga Nishi!