Mishi i ngrirë që nga viti 1982 arrin në portin e Malit të Zi, këto janë masat e autoriteteve kosovare

18.11.2016 10:37:19

Drejtoria e Doganës së Serbisë ka njoftuar se ka marrë informatë se në portin e Barit në Mal të Zi ka arritur një ngarkesë me mish të ngrirë qe nga viti 1982 dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat që ky mish mos të arrijë në tregun e Serbisë.

Ky mish nuk dihet se cilin shtet e ka destinacion, por ekziston mundësia që të përfundojë edhe në tregun e Kosovës.

Por autoritetet kosovare thonë se pikat kufitare kontrollohen nga inspektorët veterinar, dhe pa kontrollin e tyre malli nuk zhdoganohet.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë për lajmi.net se asnjë ngarkesë nuk kalon pa u kontrolluar dhe verifikuar.

“Inspektorët janë në të gjitha pikat kufitare dhe se asnjë ngarkesë në vendin tonë nuk kalon pa u kryer të gjitha procedurat doganore ndër të cilat hyn edhe verifikimi veterinar ushqimor. Në pikat kufitare dhe terminalet doganore nuk zhdoganohet asnjë produkt pa kaluar nëpër kontrollet e inspektorëve veterinat”, ka thënë Thaci.

Ndryshe mediat serbe dje kanë raportuar se janë marrë masa shtesë nëpër pikat kufitare, sepse mishi mund të përfundojë në treg.